Rutte dhe Bettel në Kosovë e Serbi “për të dëgjuar”, s’flasin për ndëshkime: Aneksi është zgjidhja

by informim

Jo për të gjykuar, por për të dëgjuar erdhën sot në Prishtinë kryeministri i Holandës, Mark Rutte dhe kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel. Ata thanë se BE-ja s’duhet ta drejtojë gishtin për ta gjetur fajtorin për ngritjen e tensioneve dhe se zgjidhja është të ndiqet aneksi i zbatimit të marrëveshjes së arritur në bazë të planit franko-gjerman. Dje ishin në Beograd, ku përmendën edhe dhunën e ushtruar në veri.

Para orës 08:00, kryeministri Albin Kurti ishte sot në aeroportin e Prishtinës, “Adem Jashari” për t’i pritur kryeministrin e Holandës, Mark Rutte dhe kryeministrin e Luksemburgut, Xavier Bettel.

banner

Rutte dhe Bettel erdhën në Kosovë dhe Serbi në një kohë kur tensionet mes dy vendeve janë rritur, ndonëse vizitën e kishin planifikuar kohë më përpara.

Siç tha Bettel, ata nuk kishin ardhur tash “për të gjykuar”, por “për të dëgjuar”.

Në Prishtinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryeministri i Holandës, Mark Rutte dhe kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel dolën bashkë në një konferencë për media pas takimit të zhvilluar në Qeveri.

Rutte dhe Bettel u duken në disponim të mirë, ndërsa treguan se nuk kishin planifikuar të vinin në kohën kur situata do të ishte tensionuar në Kosovë. Por për situatën e tensionuar në veri, me siguri se kishin diskutuar me Kurtin.

Rutte tha se Kurtit ia shprehën brengat e tyre për situatën në veri dhe stabilitetin rajonal.

“Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës e ka bërë këtë më të rëndësishme se kurrë më parë. Dhe këtu stabiliteti regjional është proces tejet i rëndësishëm dhe sot i kemi shprehur brengat tona për ngritjen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë”, tha ai, duke shtuar se shtensionimi është i rëndësishëm “jo vetëm për paqen dhe stabilitetin në rajon”.

Ai tha se zgjidhja dhe rruga që duhet ndjekur është aneksi i zbatimit të marrëveshjes bazë për të cilin Kosova dhe Serbia u dakorduan më 18 mars në Ohër.

Në pyetjen se a është e drejtë qasja e BE-së karshi Kosovës dhe se çfarë qëndrime ka mbajtur Holanda për masat ndëshkuese, Rutte tha se blloku duhet të ndihmojë, në vend që të gjejë fajtorin. “Nuk e di nëse duhet ta drejtojmë gishtin te fajtori, te Kosova ose Serbia, sepse kjo nuk e ndihmon situatën. Ne dëshirojmë të jemi ndihmues”, tha ai.

Duke përmendur faktin se Kosova dhe Serbia ankohen për njëra-tjetrën për moszbatimin e marrëveshjes, ai tha se duhet punuar me një qasje “hap pas hapi”.

“Atë çfarë po themi është, keni bërë premtime të dyja palët – e di që ka shumë çështje të ndjeshme në këtë marrëdhënie, por besoj që çështja më kryesore dhe më e drejtë është që t’i përmbahemi udhërrëfyesit dhe planit dhe në momentin që BE-ja fillon t’i gjejë fajtorë dhe të drejtojë gishtin, në momentin që e bëjmë këtë, e humbim pozicionin që të ndihmojmë”, tha Rutte.

Kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel tha se erdhën për t’u munduar të ndërtojnë ura “të cilat mes fqinjëve nganjëherë nuk janë shumë të lehta për t’i ndërtuar”.

“Ju dëshironi përgjigjen që të themi se serbët janë të këqinj, ndërsa në Serbi dëshirojnë të themi se kosovarët janë të këqinj”, tha ai ndër tjerash.

Bettel vendosi të fliste edhe për mërgatën kosovare në Luksemburg si mënyrën se si janë krijuar marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve.

“3 mijë kosovarë që kanë gjetur shtëpinë në Luksemburg. Ka qenë kohë e vështirë në Kosovë. kështu që kemi një pjesë të Kosovës në Luksemburg”, tha ai.

Në Beograd

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte dhe kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel të hënën e takuan presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Beograd.

Para se të niseshin për në Prishtinë, ata bënë thirrje për deeskalim të situatës dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve. Rutte përmendi shqetësimin për tensionet, përfshirë dhunën ndaj qytetarëve, gazetarëve e misioneve të BE-së dhe të NATO-s në veri të Kosovës.

“Nuk mund të theksojmë sa duhet se sa e rëndësishme është që edhe Serbia edhe Kosova të ndërmarrin hapa drejt deeskalimit dhe normalizimit të marrëdhënieve”, ka thënë ai pas takimit me Vuçiqin.

Sikur në Kosovë një ditë pas, ai përmendi angazhimin në dialog, miratimin e planit të BE-së e më pas aneksin e Ohrit si rrugën që duhet ndjekur.

“Duhet bërë sa më shumë që të jetë e mundur për ta zbatuar plotësisht udhërrëfyesin, dhe është e qartë se ne mundëm ta diskutonim këtë me presidentin e Serbisë sonte dhe se ishte një pjesë shumë e dobishme e bisedës për ne”, ka thënë tha Rutte.

Kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel, theksoi në Beograd rëndësinë e bisedimeve të drejtpërdrejta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ne e dimë se në kontinent, lufta e fundit që kemi pasur para Ukrainës ishte në këtë rajon dhe ne ende shohim se nuk kemi nevojë për shumë zjarr që diçka të shpërthejë”, ka thënë ai.

Bettel ka thënë se “fjalën janë një gjë”, por se “duhet të bëjmë përparim në ato tema” pasi tha se “deeskalimi është në interesin e të gjithëve”.

Ai tha se nuk shkuan në Beograd dhe nuk do të vinin në Prishtinë “për t’i zëvendësuar Borrellin ose Lajçakun”, por, siç tha ai, “thjesht për të treguar si miq të Ballkanit se duam t’i dëgjojmë të gjithë dhe të jemi të dobishëm”.

“Shpresoj, dëshira ime më e madhe është që në ditët dhe javët në vijim, falë kësaj vizite, të shohim një përparim, që të ketë një depërshkallëzim, që të mos flasim për presione”, ka thënë Bettel

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy