Detaje të tjera janë zbardhur nga atentati në Larushk të Krujës, ku shenjestër ishte Gentjan Bejtja, por humbi jetë kunati i tij dhe mbetën të plagosur dy fëmijët.
Një prej fëmijëve, 13 vjeç ndodhet në gjendje të rëndë në spital që prej ditës së djeshme.
Lidhur me ngjarjen policia po heton në disa pista si mosmarrëveshje mes grupit kriminal, apo hakmarrja për një ngjarje te pazbuluar ku objektivi mund të ishte i përfshirë.
Gentjan Bejtja kishte disa ditë që ishte kthyer nga jashtë, pasi dy shtete evropiane i kishin refuzuar kërkesën për azil.
Makina e cila u gjet e djegur me tre kallashnikovë brenda, në Tapizë që dyshohet të jetë e autorëve, rezulton të jetë e vjedhur në Tiranë.
Emri i Gentjan Bejtës rezulton në regjistrat e policisë i implikuar në disa ngjarje kriminale nga shkatërrimi i pronës deri te krimet ndaj personit. Ngjarja me e rëndë për të cilën ai u vu në pranga ishte për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt pasi u akuzua se kishte siguruar makinën e përdorur në vrasje. Ai është pyetur dhe si person që ka dijeni edhe për ngjarje të tjera si vrasja e Ilvi Canit në autostradë, atentati ndaj Mariglen Hakës si dhe vrasja e trefishtë në mbikalimin e Fushë Krujës korrikun e vitit te shkuar.
Për zbardhjen e sulmit në shtëpinë e tij policia ka ushtruar kontroll në banesat e personave me precedent në zonë por deri më tani nuk janë gjetur të dhëna të vlefshme.