Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se dy oficerë të FSK-së, kanë diplomuar me sukses të lartë në Kolegjin e Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë amerikane.
Major Ali Haxhimustafa dhe Major Besnik Selimi në të njëjtën kohë përfunduan edhe Masterin në Studime Operacionale, në Fort Leavenwoth, Kansas, SHBA.
“Suksesi i oficereve është vlerë e shtuar në kuadrin profesional dhe akademik të FSK-së, si dhe në proceset zhvillimore të saj”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Kolegji i Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Amerikane (CGSC) ka për qëllim edukimin dhe zhvillimin e udhëheqësve për operacione të përbashkëta, ndërinstitucionale dhe shumëkombëshe me spektër të plotë.
Gjithashtu vepron si agjenci kryesore për programin e zhvillimit të udhëheqësve të Ushtrisë, si dhe avancon artin dhe shkencën e profesionit ushtarak në mbështetje të kërkesave operacionale të Ushtrisë.