Gjykata Kushtetuese përmes aktgjykimi ka konstatuar se udhëzimi administrativ i Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) është në pajtim me dispozitat kushtetuese dhe ligjore në fuqi.
Sipas njoftimit për publikun të Gjykatës Kushtetuese thuhet se udhëzimi administrativ i 22 dhjetorit të 2020 i Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) nuk është në kundërshtim me nenet kushtetuese pë pushtetin lokal si dhe nenet që flasin për organizimin dhe funksionimin e vetëqeverisjes lokale.
Tutje, në këtë njoftim sqarohet se rasti ka të bëjë me shpallje e konkursit nga Drejtori Komunale e Arsimit në Prishtinë për plotësimin e pozitave për drejtorë dhe zëvendës drejtor të institucioneve publike, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas Inspektoratit Komunal të Arsimit komisioni i themeluar për përzgjedhjen e këtyre drejtoreve dhe zëvendës-drejtorëve ishte në kundërshtim me ligjin për arsimin në komuna në të cilin ligj sipas inspektoratit përcaktohet se nga 3 anëtarë të komisionit përzgjedhës 2 caktohen nga komunat dhe një nga MASHT-i
Gjithashtu sipas inspektoriatit anëtarët e komisionit të propozuar nga komuna duhet të votohen në kuvendet komunale të komunave përkatëse e që në rastin konkret ky komision i themeluar nga Komuna e Prishtinës nuk ishte votuar nga Kuvendi Komunal i kësaj komune.
Andaj, Komuna e Prishtinë si parashtruese e kërkesë konteston udhëzimin administrativ i cili rregullon këtë formë të përzgjedhjes së kandidatëve për drejtorë dhe zëvendës drejtor, duke thënë se ndërhyn në kompetencat dhe përgjegjësit komunale.
Nën këto pretendime Kushtetuesja sqaron se udhëzimi administrativ lidhur me përbërjen e Komisionit përzgjedhës për drejtor dhe zëvendës drejtor nuk cenon përgjegjësit komunale të përcaktuar sipas neve kushtetuese.
Prandaj, Kushtetuesja ka vlerësuar se dispozitat përkatëse të udhëzimit administrativ nuk janë në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, Ligjit për Arsimin në Komuna, Ligjin për Arsimin Para universitar dhe Ligjit për Inspektoriatin e Arsimit.