MAPL-ja i shpall të pavlefshme vendimet e LDK-së dhe PDK-së për ndërmarrjet publike

by informim

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal i ka shpallur të pavlefshme vendimet që Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike i kanë ndërmarrë në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal të Prishtinës, ku u shkarkua kryesuesi Fehmi Kupina dhe pushteti riktheu anëtarët e vet në bordet e ndërmarrjeve publike.

Sipas konstatimit të MAPL-së, në një vlerësim të ligjshmërisë, mbledhja e V-të e kryeqytetit “ka përfunduar në atë moment kur Kryesuesi i Kuvendit e ka shpallur të mbyllur mbledhjen për shkak të rrethanave të krijuara në pamundësi për të vazhduar, andaj vazhdimi i mbledhjes dhe vendimet e miratuara në atë mbledhje nuk krijojnë asnjë efekt juridik”.

Të martën e shkuar, gjatë fjalimit të kryetarit Përparim Rama, partitë në opozitë nisën të rrihnin tavolinat dhe të bënin zhurmë. Në ato momente, Kupina u shpreh se “nuk janë kushtet” për mbajtje të seancës dhe e shpalli të mbyllur seancën. Përgjigja ishte e menjëhershme nga pushteti. Kryetari Rama arsyetohej se shumica është e pranishme dhe se janë kushtet për mbajtje të seancës.

Pas largimit të Kupinës dhe opozitës, partitë në pushtet vazhduan mbledhjen dhe shkarkuan Kupinën si dhe shfuqizuan vendimin e mëhershëm për shkarkim të aksionarëve komunalë në bordet e ndërmarrjeve publike.

Kryetari i grupit parlamentar i Vetëvendosjes, Gëzim Sveçla, ka publikuar konstatimin e MAPL-së duke shkruar se është anuluar “seanca klandestine e partive në pushtet në Prishtinë”.

“Aksionarët e ndërmarrjeve publike komunale mbetën ata që kanë qenë, të opozitës; Kryesuesi mbetët ai që ka qenë nga fillimi i mandatit; Të gjitha vendimet tjera që janë marrë në atë “seancë” janë të pavlefshme. Është momenti i fundit të publikohen vendimet e seancës së jashtëzakonshme të datës 8 qershor. Mjaft e shkelët ligjin”, ka shkruar ai në Facebook.

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy