Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, të mërkurën ka mbajtur një takim me një grua të dhunuar gjatë luftës, e të cilës iu është refuzuar statusi i viktimës së dhunës seksuale të luftës.
E pas këtij takimi, kryetarja e këtij Komisioni, Duda Balje, tha se biseda me të ishte tejet emocional për shkak të përjetimeve të saj. Balje shpërfaqi edhe ankesat që i ka ndaj Komisionit Qeveritar, për të cilën tha se kanë shumë probleme.
Ajo tha se refuzimet që po u ndodhin këtyre rasteve, janë të papranueshme.
“Takimi ka qenë shumë emocional, kemi pas një grua e cila ka përjetuar dhunë seksuale në kohë lufte dhe e cila ka marrë dy herë refuzim prej Komisionit për Vlerësim të Statusit të Viktimave, ka qenë vërtetë shumë emocionale dhe kemi dëgjuar dhimbje të gruas dhe nuk është e vetme veç ajo. Edhe ne kemi shumë probleme me këtë Komision, të gjithë kanë ankesa ndaj tyre, për mënyrën sesi ata i trajtojnë ato kur janë para anëtarëve. Ne jemi gati të vazhdojë punën edhe për dy vite sepse tash jemi në pritje të votimit të dytë brenda seancës por duhet me bisedu me ta dhe për mënyrën sesi ata janë duke i trajtuar këtë rast”, tha Balje, teksa tregoi edhe për faktet që i ka prezantuar gruaja e dhunuar.
Balje tha se javët në vazhdim do t’i ftojnë në takim këtë komision për të biseduar rreth refuzimeve që po u bëhen atyre, raporton EO.
“Kur je para komisionit ata po duan t’i prezantojnë faktet. Këtë rast gruaja ka edhe shenja trupore, me të cilat ne mundemi me i pa edhe pas 24 viteve dhe pa marrë parasysh ata prapë e kanë refuzuar. Unë mendoj se është maltretim, ato njëherë kanë përjetuar dhunë në luftë dhe tash po përjetojnë dhunë nga komisioni. Ne si Komision Parlamentar e kemi marrë obligim me thirr Komisionin për Vlerësim të Statusit të Viktimave javët e ardhshme dhe do të bisedojmë me ta se për çfarë provash kërkohen”.