Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, i është kundërpërgjigjur kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili ditë më parë ka propozuar një konferencë ndërkombëtare për çështjen e Kosovës dhe Serbisë.
E sipas Kusarit, koha e konferencave ndërkombëtare për Kosovën tashmë ka kaluar.
“Atë e kemi konsideruar të papranueshme prej momentit kur është plasuar, për arsyen se koha e konferencave ndërkombëtare për Kosovën ka kaluar. Pas shpalljes së pavarësisë nuk e konsiderojmë si të domosdoshme. Konferencat e tilla ndërkombëtare mund të bëhen në kontekstin rajonal të të gjitha shteteve pjesëmarrëse dhe jo në kontekstin e gjetjes së zgjidhjes për Kosovën apo mbi Kosovën, sepse ne tashmë i kemi edhe marrëveshjet e dakorduara, por edhe ligjet dhe Kushtetutën e cila i parasheh të gjitha të drejtat dhe privilegjet që janë për komunitetet joshumicë në Kosovë”, tha ajo mbrëmë në Tëvë1.
Deputetja e VV-së tha se problemi qëndron tek zbatimi i marrëveshjeve.
“Në situatën aktuale problem nuk janë gjetja e një zgjidhje. Ka marrëveshje. Problem është zbatimi i saj. Dhe për zbatimin e saj nuk duhet vendosur sytë nga Kosova, por nga Serbia dhe jo përmes një konference ndërkombëtare, por përmes insistimit që ata të pranojnë marrëveshjen për të cilën fillimisht janë deklaruar brenda dhe pastaj kanë refuzuar jashtë dhe e kanë shkelur në disa instanca”, shtoi ajo.