Drejtori i të ashtuquajturës, “Zyre për Kosovën”, në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka pretenduar se një veturë e policisë së Kosovës “ka hyrë” në territorin e Serbisë në 500 metra thellësi.
Serbia të njëjtën propagandë e ka thënë edhe për tre policët kosovarë që u kidnapuan muajin e kaluar.
“Kjo është një konferencë për t’ju paraqitur dëshmi të pakundërshtueshme që edhe një herë tregojnë se si Albin Kurti dhe Prishtina shkelin brutalisht rezolutën 1244 dhe marrëveshjen ushtarako-teknike. Ne do të shfaqim një video që tregon se si policia e Kurtit rihyri në territorin e Serbisë qendrore dhe kjo është 500 metra nga vija administrative, ata nuk kanë çfarë të kërkojnë në territorin e Serbisë qendrore dhe kanë hyrë me automjetin e tyre policor të armatosur deri në dhëmbë”, ka pretenduar Petkoviq pa ofruar asnjë fakt.
Petkoviq e ka vazhduar edhe më shumë propagandën, duke thënë se këta polcië “do të kryenin krime”.
“Çfarë do të kishte ndodhur po të mos i kishte parë policia jonë, do të kishin shkuar në drejtim të fshatit Breznicë për të kryer krime. Nuk kanë çfarë të kërkojnë në Serbinë qendrore, ashtu siç nuk kanë pasur çfarë të kërkojnë më 14 qershor. Pas kësaj, shoferi i furgonit me vetëparaqitur në stacion policor dhe ka treguar se çfarë ka ndodhur, ka thënë se pjesëtarët e policisë së KS kanë filluar ta ndjekin pasi kishte targa të Bujanocit pa stikera”, tha Petar Petkoviq.
Gazeta Express ka tentuar të kontaktojë me Policinë e Kosovës, deri më tash nuk janë përgjigjur.