Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në Forumin e Dubrovnikut ka thënë se Bashkimi Evropian pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n, në aspektin e sigurisë është “tigër prej letre”.
Duke folur në panelin “Ballkani Perëndimor: Një momentum i ri euro-atlantik”, kryediplomatja e Kosovës ka thënë se BE-ja nuk mund të ofrojë paqe dhe siguri në Evropë.
Ajo gjithashtu ka deklaruar se Kosova është e rreshtuar plotësisht me Perëndimin sa i përket Ukrainës, derisa shtetet fqinje vazhdojnë të ndihmojnë Rusinë në agresionin kundër Ukrainës pa ndonjë sanksion nga BE-ja.
“Jemi rreshtuar për rreth 90 për qind me Perëndimin kur bëhet fjalë për Ukrainën. Të tjerët që i kemi fqinje po e ndihmojnë Rusinë në agresionin e saj për pothuajse dy vjet tashmë pa asnjë sanksion nga Bashkimi Evropian. Pyetja kyçe është për sigurinë në Ballkanin Perëndimor është se a mund dhe a është BE-ja unioni që mund të garantojë siguri dhe paqe në Evropë? Vlerësimi im është që BE-ja nuk mundet.
Sepse nuk është në gjendje dhe e aftë për të ofruar siguri. Arsyet janë të dukshme: nuk ka vullnet politik, ka shumë mospajtime në union dhe pa SHBA-në dhe NATO-n, BE-ja është një ‘Paper Tiger’ (tigër prej letre) në aspektin e sigurisë. Për shkak se ju e dini këtë, kërkoni paqe në vazhdimësi. Mirëpo, kjo është e rrezikshme. Paqësimi i BE-së me Rusinë ka bërë që Putini të përshkallëzojë”, është shprehur Gërvalla.
Gërvalla ka shtuar se tani ka një qëndrim të ri të fuqive të Unionit Perëndimor, që ngjason me atë të viteve kur në Evropë ka pasur luftëra, përfshirë atë të fundit në Kosovë, teksa ka shtuar se Evropa nuk ka asnjë histori suksesi në tentimin për t’i parandaluar këto luftëra.
“Tani ka një qëndrim të ri të fuqive të Unionit Perëndimor, i cili është i ngjashëm me atë të viteve 2014, 1939, 1991, 1992, 1999, ku nuk ka asnjë histori suksesi të Evropës në përpjekjet për të parandaluar luftën. Ne kemi nevojë për një strategji të re dhe njerëz të rinj që përpiqen të gjejnë një mënyrë më të mirë. Ndryshe nga të tjerët, ne nuk po përpiqemi ta përdorim BE-në si arkë. Jemi më shumë për vlera evropiane sesa për para evropiane”, ka thënë ajo.
“Paper Tiger” (tigër prej letre), është term që i referohet diçkaje ose dikujt që pretendon të jetë i fuqishëm ose kërcënues e që në të vërtetë është i paefektshëm dhe i paaftë për t’i bërë ballë sfidës.
Kjo frazë u popullarizua nga ish-diktatori komunist, Mao Ce Duni, i cili në vitin 1956 e cilësoi imperialzimin amerikan si “tigër prej letre”, duke thënë se “imperializmi dhe të gjithë reaksionarët janë tigra prej letre”.