Opozita i kërkon pushtetit të mos e trajtojë si armike, Qeveria e bindur për veprimet

by informim

Opozita po vlerëson se shtrirja e sovraniteti në veriun e vendit duhet të bëhet, por gjithmonë në koordinim me aleatët, sipas tyre moskoordinimi me ta e ka quar vendin në izolim politik e ekonomik. Madje nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) po kërkojnë që Qeveria mos t’i trajtojë si armiq.

Nga pozita thonë se masat e marra nga Qeveri janë të qëlluara, duke përmendur këtu hetimet e arrestimet e personave të dyshuar në veri si shkaktarë të trazirave të fundit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Enver Dugolli, ka thënë se organizatat që operojnë në veriun e Kosovës që tashmë janë shpallur terroriste, kanë arritur që të ngritin tensione me veprimet e tyre të jashtëligjshme dhe ta destabilizojnë situatën.

Ai tha se Qeveria e Kosovës vetëm se ka filluar që të marrë masa për veriun e vendit, duke përmendur hetimet e arrestimet e fundit në veri.

“Bandat e caktuara që tani më dy organizata vetëm që janë futur në listën e organizatave terroriste, ato me veprimet e tyre kanë dëshmuar se janë të interesuar thellësisht që të eskalojnë situatën, pra të ngritin tensione edhe të destabilizojnë situatën në veri të Kosovës. Veprimet e tyre janë të jashtëligjshme të dënueshme dhe institucionet e vendit kanë për detyrë që të zbatojnë ligjin andaj gjithë atyre që kryejnë vepra të rënda penale e terroriste ndaj institucioneve dhe ndaj personelit policisë, KFOR-it, gazetarëve e kështu me radhë”, ka thënë deputeti i partisë në pushtet.

Ai ka theksuar se ka ende persona të dyshuar që s’janë kapur, pasi siç u shpreh Dugolli, mund të kenë ikur nga territori i Kosovës.

“Masat veç se po i shihni, pra kemi hetime të mirëfillta, hetime serioze që po ndodhin, kemi gjithashtu edhe operacione për arrestimin e kryesve të këtyre veprave, pra kemi një numër të caktuar të dyshuarve të cilët veçse po përballen me procesin hetimor edhe mbetet që të shihet pastaj edhe për masa të tjera sepse jo të gjithë kryerësit e atyre veprave janë kapur. Ende ka të atillë që dora e drejtësisë nuk ka arritur që t’i kapë për arsye të ndryshme, ose kanë lënë Kosovën kanë ikur andej nga kanë ardhur, ose janë ende duke u fshehur. Por, në momentin që hasen apo janë të qasshëm Policia do ta kryejë detyrën e tyre dhe ata do të arrestohen”, ka shtuar ai.

Deputeti Dugolli është shprehur se situatat e fundit në veri nuk kanë arritur që ta ndalojnë funksionalizimi e shtetit, por sipas tij, është krijuar një situatë e re dhe se veprimet e qeverisë dëshmohet se shtetit është më i fortë dhe që nuk dorëzohet para bandave kriminale që kanë për qëllim zhbërjen e shtetit.

“Jo në as një mënyrë, kish më thënë që është krijuar një situatë jo e lehtë por kjo dëshmon se shteti është me i fortë se sa bandat dhe shteti në as një mënyrën në as një rrethanë nuk mund të dorëzohet para bandave kriminale të cilat kanë qëllim pikërisht zhbërjen e shtetit”, ka shtuar Dugolli.

Ndërsa, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka deklaruar se Kosova është duke degraduar dita-ditës në të gjitha aspektet, e kjo po ndodh sipas tij, për shkak të politikave të gabuar të Qeverisë e moskoordinimit me aleatët.

“Procesi po degradon dita-ditës, po degradon edhe në aspektin e sigurisë, në aspektin polik të brendshëm, po degradon edhe në aspektin e raporteve ndërkombëtare. Kjo është një fatkeqësi e madhe që po i ndodh Kosovë në të gjitha dimensionet qoftë të brendshme, qoftë të jashtme, qoftë ekonomike, politike, për shkak të politikave të gabuara, për shkak të moskoordinimit të institucioneve të shtetit me partnerët, për shkak të mosunifikimit të faktorit politik vendor, për shkak të paaftësisë qeverisëse për t’u ulur dhe unifikuar faktorin e brendshëm politik. Në anën tjetër, veprimi i masave të një anshme pa u koordinuar me aleatët me faktorët e sigurisë të cilët janë prezent në Kosovë, ka sjell tek një situatë kur ne jemi sot të atakuar edhe politikisht edhe ekonomikisht”, tha ai.

Shala ka theksuar se e vetmja rrugë e stabilitetit të veriut është vendosja e ligjit dhe kushtetutshmërisë, por kjo duhet që të bëhet me masa të koordinimit me partnerët.

Ai ka shtuar po ashtu se kryeministri Albin Kurti, do të duhet që të bashkëpunojë më shumë më opozitën, ngase siç thotë ai, kreu i Qeverisë, po e sheh opozitën si armik.

“Në relacion të stabilitetit të veriut e vetmja rrugë e stabilizimit është çështja e vendosjes së ligjit dhe Kushtetutshmërisë por kjo jo me masa represive por me masa të koordinimit mbi bazën e bymyeshmërisë e partnereve. Raportet e brendshme ndër institucionale në Kosovë, harmonizimi dhe bashkimi i forcave politike në spektrin e brendshëm. Ne kemi në baza ditore atakim ekstrem të qeverisë më shumë se sa që i bënë Serbisë i bënë opozitës. Vlerëson së çfarë uniteti ofron ky kryeministër kur në baza ditore orvatet të komprometojë pjesën e opozitës, unë them që nuk ka opozitë më konstruktive, më paqësore më të koordinuar. Kryeministri nuk është i interesuar as për bashkëpunim të brendshëm, e fatkeqësisht as për bashkëpunim të jashtëm. Opozitën e shef armik, mendimin ndryshe e shef tepër ekstrem dhe të papranueshëm. Në këtë relacion kemi një ndarje të tillë ku shpeshherë biem para situatave edhe ikjes nga përgjegjësi e institucioneve shtetërore”, tha ai.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, tha se kanë pritur që Qeveria ta shtrijë sovranitetin në veri ashtu siç ka premtuar, por masat që ka ndërmarrë sipas tij, janë të gabuara.

“Sa i përket situatës në veri nuk është gjendja e mirë, nuk është ajo që ne kemi pritur që më të vërtetë Qeveria të shtrijë sovranitetin, mirëpo sot e kësaj dite kemi pengesa nga bandat kriminale, nga krimi i organizuar nga gjithçka që nuk duhet pranuar dhe Qeveria është dashur që të veprojë dhe premtimin që e ka dhënë për shtrirje të sovranitetit ta bëjë ashtu siç duhet. Por, ka gabuar me hapa dhe mendoj që kjo Qeveri ka dështuar në zgjidhje të problemit. Ju e keni parë se sa veprime ka pasur nga bandat kriminale të Serbisë por edhe veprimi i Qeverisë së Kosovës ka qenë, por jo i kënaqshëm”, tha ai.

Lekaj ka shtuar se Qeveria duhet që të jetë më shumë bashkëpunues me BE-në dhe SHBA-në dhe t’i plotësojë kërkesat e tyre për deeskalim të situatës në veri./eo

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy