Gazeta zvicerane: Vuçiqit duhet t’i bëhet e qartë, humbja e Kosovës nuk mund të kompensohet në Bosnjë-Hercegovinë

by informim

Milorad Dodik kërcënon sërish me separatizëm, por kësaj radhe planet e tij duhet të merren seriozisht, shkruan NZZ. Beogradi kërkon një lloj kompensimi për humbjen e Kosovës.

“Milorad Dodik, presidenti i entitetit serb në Bosnjë-Hercegovinë, planifikon sërish të shkëputet nga shteti. Këto kërcënime janë dëgjuar shpesh nga ai. Por këtë herë është e rëndësishme të dëgjosh më me kujdes atë që thotë Dodik – dhe mbi të gjitha të shikosh më me kujdes atë që po bën. Sepse, me përshkallëzimin e problemeve rreth Kosovës, u përkeqësuan edhe kushtet kornizë për Bosnjë-Hercegovinën”, shkruan gazeta zvicerane Neue Zürcher Zeitung.

banner

“Dodik po flet për organizimin e një referendumi para fundit të këtij viti,” shkruan NZZ dhe kujton se “parlamenti i RS në 2021 hodhi edhe hapat e parë në këtë drejtim. Por pushtimi rus i Ukrainës në shkurt 2022 ndaloi planet e Dodikut. Dodik vuri në dukje se në BE dhe SHBA kanë zero tolerancë për eksperimentet në Ballkanin Perëndimor. Hapësira e palës serbe për manovrim është zvogëluar shumë shpejt në zero.”

Nuk është BiH në krizë – është sundimi i Dodik

“Çfarë ka ndryshuar prej kohëve të mëparshme, që Dodik po e vendos sërish referendumin në tavolinë?”, pyet autori dhe menjëherë pas kësaj thotë se “kjo ndoshta nuk është krizë serioze e Bosnjë-Hercegovinës”.

“Nuk është vendi në krizë, por sundimi i Dodikut. Në vjeshtën e vitit 2022, ai fitoi me një rezultat të ngushtë. Është e pasigurt nëse ai mund ta përsërisë këtë sukses në zgjedhje. Për dy dekada, ai formësoi politikën e vendit dhe gjatë kësaj arriti së bashku me familjen e tij një pasuri të madhe. Shumë qytetarë thjesht janë të ngopur me Dodikun. Kështu, kriza e vetë-skenuar i shkon për shtat babait kontrovers të vendit”.

Edhe Vuçiqit do t’i përshtatej kriza në Bosnjë-Hercegovinë

“Përveç kësaj, ka edhe diçka tjetër: Konflikti ndërmjet Serbisë dhe Kosovës po hyn në fazën e tij përfundimtare,” beson Andres Ernst. “Kriza në Bosnjë-Hercegovinë do t’i përshtatej edhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq. Ai mund të paraqitet edhe një herë si garantues i stabilitet dhe ndoshta të shtyjë sërish njohjen e Kosovës”.

“Përveç kësaj, shkruan NZZ, Vuçiqi mund ta ngrejë edhe një herë çështjen serbe: sipas llogaritjes së Vuçiqit, nëse e humbim Kosovën dhe serbët atje, atëherë duhet të kompensohemi me territorin e serbëve të Bosnjë-Hercegovinës”.

Autori më pas shpjegon, “se kjo ide, konkretisht – shpërbërja e Bosnjë-Hercegovinës, është jashtëzakonisht e rrezikshme.” Zbatimi i kësaj ideje do të çonte ndoshta në luftë. Megjithatë, është e qartë se eksperimente dhe mendime të tilla po gëzojnë edhe një herë njëfarë pranimi tek diplomatët në Perëndim”.

Sanksione vetëm ndaj Dodikut

Sanksionet duhet t’i vendosen vetëm DodikutFotografi: Dragan Maksimovic/DW Bosnisch

“BE-ja duhet ta kundërshtojë me forcë këtë,” beson Ernst dhe vazhdon: “Por jo duke dërguar më shumë trupa në Bosnjë-Hercegovinë, siç kërkojnë parlamentarët britanikë. Dhe jo duke miratuar masa nga Përfaqësuesi i Lartë, që ai nuk mund t’i zbatojë për shkak të mungesës së legjitimitetit dhe autoritetit.”

Në fund të komentit NZZ shkruan: “Nuk është Bosnjë-Hercegovina në krizë, por Dodiku”. Ai duhet të sanksionohet personalisht. Një ndalim udhëtimi në BE dhe një hetim mbi situatën e tij financiare do të ishte një fillim i arsyeshëm. Edhe Vuçiqit duhet t’i bëhet e qartë: humbja e Kosovës nuk mund të kompensohet në Bosnjë-Hercegovinë”.

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy