Aksidentet në komunikacionin rrugor nuk janë të pakta. Megjithëse në gjashtëmujorin e parë të këtij viti ka ulje të numrit të rasteve me fatalitet krahasuar me vitin paraprak, sipas Policisë, numri i aksidenteve është rritur krahasuar me një vit më parë.
Tre aksidente me fatalitet ndodhën në ditët e kaluara në vendin tonë. Ndërsa për 6 muajt e parë të këtij viti 40 persona kanë humbur jetën nga aksidentet. Megjithatë këto shifra janë më të ulëta krahasuar me 6-mujorin e parë të vitit të kaluar. Por këtë vit, sipas Policisë ka rritje të numrit të aksidenteve.
Nënkolonel Jeton Rexhepi, Drejtor i Divizionit të Komunikacionit Rrugor tha se sa i përket aksidenteve me persona që kanë humbur jetën në këtë gjashtëmujor do të thotë janë 40 persona ndërsa vitin e kaluar kanë qenë 50. “Do të thotë kemi 10 persona më pak që kanë humbur jetën në trafikun rrugor ndërsa sa i përket aksidenteve në përgjithësi, në këtë periudhë të vitit janë 9930 raste ndërsa vitin e kaluar kanë qenë 9352 raste është një rritje e lehtë sa i përket aksidenteve në përgjithësi”, tha ai.
Mosrespektimi i kufizimit të shpejtësisë konsiderohet ndër shkaqet kryesore të aksidenteve me fatalitet.
“Përpos faktorit njeri që merr je përqindje shumë të lartë si kontribuues në aksidentet të trafikut rrugor, kem faktorin automjet dhe faktorin rrugë nëse ju referohemi të dhënave të cilat kanë shkaktuar këto aksidente është përqindja më e lartë tek shoferët, kem raste kur shoferët nuk kanë respektuar kufizimin e shpejtësisë, raste të cilat shoferët, nuk kanë pasur kujdes të shtuar sa i përket respektimit të rregullave. Kushtet në këtë vit kanë qenë që kem pasur të reshura të shiut, borës edhe të ngricave”, tha Rexhepi.
Kurse eksperti i komunikacionit, Nol Deda, flet edhe për faktorë të tjerë të aksidenteve në trafik.
“Në qoftë se bazohemi të faktori automjet, shpejtësia është kryesorja, në këtë sezon, pastaj edhe elemente tjera si lodhja, pagjumësia tek faktori automjet gjithmonë është aktiv meqenëse i kemi automjetet e vjetra mbi 80%, 17 vjeçar, atëherë, aty tashmë e kemi sistemin e frenimit dhe sistemin e ndriçimit që nganjëherë mundet me na ndikuar në fatalitet, ndërsa edhe faktori rrugë që është shumë aktiv”, tha ai për RTK-në.
Sipas Policisë, këtë gjashtëmujor janë 8 aksidente fatale më pak në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, derisa janë mbi 12 mijë tiketa të shqiptuara më pak se gjashtëmujorin e parë të vitit 2022.