Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, ka shkuar në fshatin Veriq të Komunës së Istogut, ku të hënën i është vënë zjarri një shtëpie.
Shtëpia e sapo ndërtuar ishte është pronë e një serbi, që planifikonte kthimin në Kosovë, sipas raporteve zyrtare.
Këtë akt ambasadori amerikan e cilëson si kriminal, duke shtuar se është një përpjekje për t’i penguar të drejtën e serbëve për rikthim në Kosovë. Ai ka kërkuar nga institucionet që të kujdesen për të drejtën e serbëve për kthim në Kosovë.
”Kjo shtëpi në Istog ka pësuar një zjarrvënie kriminale. E vizitova për ta parë vetë, me lejen e familjes, e cila synonte të kthehej në pronën e tyre. Unë e dënoj këtë sulm me zjarrvënie dhe këtë përpjekje për të frikësuar një familje që të mos ushtrojë të drejtën e tyre për t’u kthyer në shtëpinë e tyre“, ka shkruar ambasadori amerikan në Twitter teksa ka publikuar një video ku gjendet po në atë shtëpi.
Lajmin për djegien e kësaj shtëpie e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.
“Dje rreth orës 08:00 një fqinj i viktimës ka njoftuare se në fshatin Veriq një shtëpi është përfshirë nga zjarri. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë zjarrfikësit dhe policia dhe pastaj kanë dalë edhe njësitet kompetente dhe eksperti i zjarrit”, ka thënë Fadil Gashi, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës.
Ndërkaq për këtë rast ka reaguar e OSBE në Kosovë, duke e dënuar aktin.
This home in Istok/g suffered a criminal arson attack. I visited to see it myself, with the permission of the family, who intended to return to their property. I condemn this arson attack, and this effort to intimidate a family from exercising their right to return to their home. pic.twitter.com/RsYhRrKioP
— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) July 11, 2023