Blogeri ushtarak nacionalist rus, Igor Girkin, ka thënë se Vladimir Putin mund të përballet me një lëvizje nga brenda rrethit të tij të brendshëm për t’i dhënë fund pushtimit të tij në Ukrainë, gjë që mund të çojë në largimin e tij si president.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Girkin, i njohur gjithashtu si Strelkov, luajti një rol kyç në konfliktin në rajonin e Donbasit të Ukrainës që nga viti 2014.
Ai ka dënuar vazhdimisht strukturat ushtarake të Rusisë dhe Putinin për mënyrën se si ata e kanë zhvilluar luftën në Ukrainë, të cilën ai e mbështet.
Në një postim në Telegram të mërkurën, Girkin tha se rebelimi i shefit të Grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin, në të cilin trupat e tij morën objektet ushtarake në Rostov-on-Don dhe marshuan drejt Moskës, kishte pasur sukses duke “rishpërndarë pushtetin” mes elitës ruse
Girkin mendon se rebelimi, të cilin Prigozhin e anuloi, ka dobësuar pozitat e ministrit të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, guvernatorit rajonal të Moskës, Andrei Vorobyov dhe kryebashkiakut të qytetit të Moskës, Sergei Sobyanin.
Girkin gjithashtu pretendoi se një grup i rrethit të brendshëm të Putinit me bazë në “Oblastin e Leningradit”, i njohur si Kooperativa “Ozero (Liqeni)”, dëshiron të largojë presidentin në favor të një prej anëtarëve të tij, si Prigozhin ose Zëvendës-shefi i Parë i Stafit të Putinit, Sergey Kiriyenko.
Girkin tha se grupi dëshiron të sabotojë operacionet ushtarake të Rusisë dhe bazën e saj industriale të mbrojtjes, si dhe kontrollin e zonave në luftë, në mënyrë që Putin të kuptojë se duhet të pranojë humbjen në luftën në Ukrainë.
Grupi do të synonte gjithashtu Ministrinë e Mbrojtjes, Sekretarin e Këshillit të Sigurimit Nikolai Patrushev, FSB dhe struktura të tjera qeveritare, shtoi Girkin.