Wagneri po ia dorëzon armët e tij ushtrisë ruse

by informim
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka komentuar mundësitë që ai ka thënë se u ka ofruar mercenarëve të grupit Wagner, për të vazhduar shërbimin si njësi e vetme, nën udhëheqjen e komandantit të njëjtë. Sipas tij, ishte Yevgeny Prigozhin – vendndodhja e të cilit mbetet e paqartë – ai që hodhi poshtë propozimin. Ndërkohë Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha të mërkurën se Wagneri po ia dorëzonte armët e tij ushtrisë ruse. Kjo duket se paralajmëron një fund të operacioneve të grupit në Ukrainë

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se u ka ofruar mercenarëve të grupit Wagner opsionin për të vazhduar shërbimin si një njësi e vetme nën të njëjtin komandant të tyre, kur u takua me ta pas revoltës së shkurtër të grupit muajin e kaluar, e që përbënte kërcënimin më serioz në 23 vjetët e regjimit të tij.

Komentet e Putinit, të publikuara të premten, duket se pasqyrojnë përpjekjet e tij për të siguruar besnikërinë e mercenarëve të Wagner-it, disa prej forcave më të afta ruse në Ukrainë, ndërsa fati i shefit të tyre, Yevgeny Prigozhin, mbetet i paqartë.

Komentet erdhën gjithashtu në kohën e përçarjeve të reja që u shfaqën në ushtrinë ruse ndërsa lufta po kalon muajin e saj të 17-të e Ukraina po zhvillon kundërofensivë ndaj forcave pushtuese.

Në komentet për të përditshmen e biznesit, Kommersant, Putini për herë të parë përshkroi një ngjarje të Kremlinit ku morën pjesë 35 komandantë të Wagner-it, përfshirë Prigozhinin, më 29 qershor, pesë ditë pas rebelimit të tyre të armatosur. Ai tha se e vlerëson mundin e tyre në Ukrainë, por se është dëshpëruar për përfshirjen e tyre në kryengritje – të cilën ai më parë e denoncoi si një akt tradhtie – dhe u ka ofruar atyre alternativa për shërbimin e ardhshëm.

Putini i tha të përditshmes Kommersant, se njëri opsion do të ishte që Wagneri të udhëhiqej nga i njëjti komandant që ka udhëhequr ushtrinë private në Ukrainë, për 16 muaj me radhë, e që njihet me nofkën “Gray Hair”.

“Të gjithë ata do të mund të ishin mbledhur në një vend dhe të vazhdonin të shërbenin”, tha Putini për gazetën, “dhe asgjë nuk do të kishte ndryshuar për ta. Ata do të udhëhiqeshin nga i njëjti person që ka qenë komandanti i tyre i vërtetë gjatë gjithë kohës”.

Prigozhini mund të përballet me akuza

Putini tha se shumë trupa të Wagner-it tundën kokën në shenjë miratimi për propozimin, por Prigozhini, i cili ishte ulur përpara dhe nuk e pa reagimin e tyre, e hodhi poshtë me shpejtësi idenë, duke u përgjigjur se “djemtë nuk do të pajtohen me një vendim të tillë”.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, refuzoi të shtjellojë të ardhmen e Wagnerit në konferencën e së premtes me gazetarët.

Putini ka thënë më parë se trupat e Wagner-it duhej të zgjidhnin nëse do të nënshkruanin kontrata me Ministrinë e Mbrojtjes, do të transferoheshin në Bjellorusinë fqinje ose do të tërhiqeshin nga shërbimi.

Duke folur për Kommersant, Putini theksoi se “ushtarët e rangut të lartë të Wagner-it kanë luftuar me nder” në Ukrainë, duke shtuar se “është për keqardhje që ata u bashkuan” në rebelim.

Presidenti rus, i cili më parë mohoi çdo lidhje midis qeverisë dhe Wagner-it, pranoi pas rebelimit, se kompania e Prigozhinit ka marrë miliarda dollarë nga shteti dhe vuri në dukje se do të zhvillohen hetime mbi ndonjë vjedhje të mundshme nga fondet, një paralajmërim për Prigozhinin se ai mund të përballet me akuza për krime financiare.

Ku është Prigozhini?

Putini ka thënë gjithashtu se Wagner-i ka vepruar pa bazë ligjore.

“Nuk ka ligj për organizatat private ushtarake. Thjesht nuk ekziston”, tha ai për Kommersant, duke shtuar se qeveria dhe parlamenti duhet të diskutojnë ende çështjen e kontraktorëve ushtarakë privatë.

Në revoltën që zgjati më pak se 24 orë më 23-24 qershor, mercenarët e Prigozhinit kaluan shpejt qytetin jugor rus të Rostov-on-Don dhe pushtuan selinë ushtarake atje pa gjuajtur asnjë plumb të vetëm.

Rebelimi u përball me pak rezistencë dhe luftëtarët rrëzuan të paktën gjashtë helikopterë ushtarakë dhe një avion komandues. Prigozhini urdhëroi mercenarët e tij të ktheheshin në kampet e tyre pasi arritën një marrëveshje për t’i dhënë fund rebelimit në këmbim të një amnistie për të dhe njerëzit e tij dhe leje për t’u shpërngulur në Bjellorusi.

Presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko, i cili ndërmjetësoi marrëveshjen, ka thënë se Prigozhini ishte në Rusi.

Ndërsa fati i Prigozhinit mbetet i turbullt, Ministria e Mbrojtjes tha të mërkurën se Wagneri po ia dorëzonte armët e tij ushtrisë ruse. Kjo duket se tregon përpjekjet e autoriteteve ruse për të zbutur kërcënimin e paraqitur nga mercenarët dhe gjithashtu paralajmëron një fund të operacioneve të grupit në Ukrainë.

“Armët nuk mjaftojnë”

Në të njëjtën kohë, në komandën ushtarake janë shfaqur përçarje të reja. Gjeneralmajori, Ivan Popov, komandanti i ushtrisë së 58-të në rajonin Zaporizhzhia, një pikë qendrore në kundërsulmin e Ukrainës, tha se ai u shkarkua pasi tregoi problemet me të cilat përballen trupat e tij, në atë që ai e përshkroi si një goditje me thikë pas shpine.

Peskov, zëdhënësi i Kremlinit, refuzoi të komentojë komentet e Popovit.

Në luftimet e fundit, Ukraina tha se rrëzoi 16 dronë Shahed të prodhuar nga Irani, të nisur gjatë natës nga rajoni jugor i Krasnodarit të Rusisë. Administrata presidenciale tha se të paktën katër civilë u vranë dhe 10 u plagosën në 24 orët e mëparshme.

Në Rusinë jugore, tre dronë u shkatërruan të enjten vonë ndërsa po i afroheshin qytetit të Voronezhit, tha guvernatori rajonal, Alexander Gusev, duke shtuar se nuk pati të lënduar apo dëme.

Një dron gjithashtu u rrëzua në Kurchatov, ku ndodhet termocentrali bërthamor Kursk pa shkaktuar asnjë dëmtim në objektet kryesore, tha guvernatori rajonal, Roman Starovoit.

Dhe tre persona u plagosën kur një makinë shpërtheu në një zonë banimi në Belgorod, pranë kufirit me Ukrainën, sipas guvernatorit rajonal, Vyacheslav Gladkov.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, iu përgjigj sugjerimeve të ministrit britanik të Mbrojtjes, Ben Wallace, se Ukraina duhet të tregojë më shumë “mirënjohje” për ndihmën ushtarake perëndimore që po merr.

Kuleba tha se vërejtja ishte një “keqkuptim fatkeq nga ana e ministrit britanik”.

“Askush nuk ka arsye të na akuzojë për mosmirënjohje. Por e vërteta është se, na vjen keq, ne jemi në luftë”, tha ai. “Kur të fitojmë, atëherë unë do të them, ‘faleminderit, armët ishin të mjaftueshme’, por ndërsa lufta vazhdon, armët nuk mjaftojnë”.

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy