Pas protestës së veteranëve të luftës së UÇK-së në Prishtinë, ka folur deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e cila ishte pjesë e protestës.
Ajo tha se veteranët nuk do t’i nënshtrohen askujt, dhe se nuk do ta lejojnë askënd të negociojë me Milan Radoiçiqin, për vlerat e luftës.
“Nuk do t’i nënshtrohemi, do të jemi çdo ditë sepse e duam Kosovën, nuk do të lejojmë që askush të negocioj me Radoiçiqin për vlerat e Kosovës”, ka thënë ajo, për RTV Dukagjini.
Në thirrjen për protestë janë përmendur ato që janë konsideruar “veprime skandaloze të Qeverisë” dhe është kërkuar dorëheqja e deputetes Mimoza Kusari – Lila.
Në disa përgjime të publikuara ditë më parë Mimoza Kusari – Lila, kryetare e grupit parlamentar të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), është dëgjuar të ketë pohuar se ka komunikuar me nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq, vitin e kaluar.
Nga LVV-ja, para dhe pas ardhjes në pushtet, Radoiçiq- i cili gjendet në listën e zezë amerikane – është cilësuar si kriminel që punon kundër shtetit të Kosovës.
Për mediat foli edhe Faton Klinaku, përfaqësues i veteranëve të luftës, i cili tha se njerëzit janë të shqetësuar me vendimet e Qeverisë sipas tij kundër veteranëve.
“Ky organizim ka nis vetëm dje, s’i ka dy ditë të plotë. Kishte masë të madhe, u pa që njerëzit janë të shqetësuar. Kemi pas disa vendime, kemi thënë që do t’i vazhdojmë përpjekjet tona, për veteranët. Është bërë një shkelje ligjore. Beneficionet e veteranëve lidhen me pagën minimale, Kurti nuk duhet të na mashtrojë”, tha Klinaku.
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) e ka mbajtur të shtunën një protestë në Prishtinë kundër Ligjit për pagën minimale.