Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar në lidhje me arrestimin e avokatit Besnik Berisha.
Ai ka thënë se arrestimi i tij u bë për shkak të punës që ai bën dhe pasiguria juridike deri në këtë masë është tepër shqetësuese.
‘’Nëse edhe avokatët arrestohen për shkak të punës së tyre në mbrojtje të të pandehurve, siç ishte rasti i avokatit të njohur Besnik Berisha, atëherë pasiguria juridike është në nivele tepër shqetësuese. Sigurisht, secili person pa asnjë dallim duhet të mbahet përgjegjës për veprimet dhe mosveprimet personale, por vetëm në bazë të provave dhe sipas ligjit. ‘’
Postimi i plotë:
Nëse edhe avokatët arrestohen për shkak të punës së tyre në mbrojtje të të pandehurve, siç ishte rasti i avokatit të njohur Besnik Berisha, atëherë pasiguria juridike është në nivele tepër shqetësuese. Sigurisht, secili person pa asnjë dallim duhet të mbahet përgjegjës për veprimet dhe mosveprimet personale, por vetëm në bazë të provave dhe sipas ligjit.
Në rastin konkret, avokati Berisha, i cili është edhe figurë publike, ka mundur të ftohej për intervistë sipas procedurave të zakonshme. Jam i bindur se ai nuk ka paraqitur asnjë rrezik për t’i ikur drejtësisë apo për tjetërsim të provave e ndikim mbi dëshmitarë. Kam bindjen se z.Berisha është ndër njohësit më të mirë të ligjit dhe procedurave që duhet të respektojë çdo avokat në ushtrimin e profesionit. Nëse ai ka bërë shkelje të kodit të etikës, atëherë janë mekanizmat e Odës së Avokatëve bazuar në ligjin përkatës për profesionin e avokatit.
Ka pasur raste edhe në të kaluarën kur persona publik janë përndjekur si pjesë e “strategjive” për luftim të krimit e korrupsionit. Shumica prej tyre janë liruar dhe shteti ka paguar miliona euro të taksapaguesve të Kosovës.
Në bazë të asaj që është raportuar në media, rasti konkret duket se do të përfundojë njëjtë. Por, problemi është se po cenohet integriteti personal i personit e familjes së tij, si dhe po krijohet pasiguri juridike me pasoja për jetën ekonomike dhe shoqërore duke trembur iniciativën private, investitorët dhe kuadrot më të mira që lehtësisht mund ta gjejnë veten në tregje ndërkombëtare.