Kosova as sivjet nuk pritet ta sigurojë bukën e motmotit

by informim

Në disa vende të Kosovës ka nisur fushata e korrje-shirjeve të grurit, por vendi edhe sivjet nuk pritet të sigurojë bukën e motmotit. Përkundër punës së përkushtuar të bujqve nëpër arat e tyre, pranvera e ftohtë ka ulur pritshmëritë për prodhim të bollshëm të grurit.

Rreth 40 për qind rendimenti me grurë pritet të jetë më i ulët, si pasojë kushteve jo të përshtatshme atmosferike. Për këtë konsiderohet se edhe në këtë vit, Kosova do të jetë e varur nga importi i grurit.

banner

Në anën tjetër, shumë toka po mbesin djerrina, e për këtë po kritikohen institucionet. Bujqit po tërhiqen nga prodhimtaria, meqë nuk kanë mundësi ekonomike të përballojnë humbjet.

Profesori i bujqësisë, Imer Rusinovci thotë se këtë vit ka një trend rritës të sipërfaqeve të grurit, por sipas tij, prodhimi nuk do të jetë siç është planifikuar.

Pak komuna në vend kanë nisur korrjet-shirjet, ani se ka filluar sezoni i tyre. Edhe në ato që ka nisur fushata e korrjeve, pritjet për rendimentin e grurit nuk janë të kënaqshme.

Rusinovci konsideron se importi i grurit është në nivele të larta dhe i pajustifikueshëm për shkak të mundësive që ofron klima e Kosovës. Për këtë, ai thekson domosdoshmërinë e marrjes së masave nga ana e shtetit.

Rusinovci kërkon që institucionet të mbështesin këtë sektor dhe të ndjehet dora e shtetit.

Një gjë të tillë e thotë edhe kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve, Tahir Tahiri, i cili shton se këtë vit rendimentet pritet të jenë shumë të ulëta.

Ai veçon edhe vonesat e realizimit të subvencioneve nga programi i pagesave direkte.

KosovaPress dërgoi pyetje edhe në Ministrinë e Bujqësisë lidhur me përgatitjet për korrje-shirje, për sipërfaqet e mbjella me grurë dhe sa pritet të plotësohen kërkesat e Kosovës këtë vit me grurë, por, e njëjta nuk ktheu përgjigje

Mirëpo, një ditë më parë, kryeministri Albin Kurti, pasi mori pjesë në nisje të fushatës së korrje-shirjeve në fshatin Suhodoll tha se afër 67 mijë hektarë janë mbjellë me grurë sivjet, apo 32% më shumë sesa vjet.

“474 euro për hektar është mbështetja e Ministrisë së Bujqësisë apo rritje prej 216% krahasuar me qeveritë e shkuara: 150 euro për sipërfaqe, 150 euro për plehrim, 120 euro për rendimentin (4 tonë për hektar) dhe 54 euro për derivate (heqja e akcizës për naftë)”, tha Kurti.

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy