Vera është e mbushur me aktivitete kulturore në të gjitha qytetet e Shqiperisë. Festivale të muzikës moderne dhe asaj popullore, si dhe shfaqje për të gjitha moshat mund të ndiqen në qytete të ndryshme.
Ministria e Turizmit dhe Agjencia e Turizmit ka publikuar së fundimi aplikacionin “Eventet turistike të Shqipërisë”, TEA. Në këtë platformë, qytetarët shqiptarë, por dhe për turistët e huaj mund të gjejnë të dhëna për gjithë aktivitete e turizmit kulturor në Shqipëri, në gjuhën angleze.
Në fjalën e saj të prezantimit të aplikacionit, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro u shpreh se tashmë Shqipëria ka një menu të plotë turistike, që përveç bukurive të natyrës e mikpritjes, ofron edhe ngjarje kulturore që nuk duhen humbur.
“Na ka munguar një menu e plotë e Shqipërisë turistike, që përveç diellit të plotë, detit mesdhetar, ushqimit të jashtëzakonshëm, hireve të trashëgimisë kulturore, bukurive natyrore, njerëzve më të dashur të rruzullit, ofron dhe shumë zbavitje, kënaqësi estetike, talente artistike, festa e ngjarje të vërteta kulturore, që nuk duhen humbur”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Kryeministri Rama nga ana e tij tha se ky aplikacion është fryt i një pune të gjatë dhe tashmë është i aksesueshëm nga kushdo.
“Sot mund të themi që kemi një kalendar kulturor dhe artistik të të gjithë Shqipërisë turistike, i cili është i aksesueshëm nga kushdo përmes një aplikacioni të thjeshtë, informues dhe sipas meje me shumë shije. Ne besojmë shumë që Shqipëria është përtej ujërave të mrekullueshëm të detit, përtej majave magjike të maleve, përtej luginave dhe bukurive natyrore në tërësi dhe arsyet për ta vizituar Shqipërinë turistike janë shumë më tepër sesa kaq”, u shpreh Kryeministri.
Të gjitha eventet kulturore tashmë do të pasqyrohen në aplikacionin TEA.
Shfaqjet e cirkut kanë nisur që në datën 12 në qytetin e Velipojës dhe do të vijojnë me takimin e 16 korrikut në shëtitoren kryesore të Sarandës. Artdashësit e vegjël ndoqën më 13 korrik në plazhin e Golemit shfaqen për fëmijë, e cila më pas u shfaq edhe për publikun e Divjakës.
Javën që lamë pas, Teatri i Operas dhe Baletit zhvilloi në Durrës dhe në Shëngjin një nga shfaqet me të ndjekura të artit bashkëkohor. Në amfiteatrin e Durrësit u luajt baleti ‘Humus’, duke korrur të njëjtin sukses si në qytetet e tjera.
Në Shkodër, të pasionuarit pas muzikës Xhaz do të kenë mundësi të shijojnë këtë të diele ritmet e xhazit. ndërsa teatri eksperimental shfaqi në Shkodër, Gjirokastër dhe në Durrës dramën “Tani keni sy për të parë”.
Kjo javë është e pasur me festivale dhe koncertet si ai i Porto Palermos dhe Gjon Mili Jazz Festivale. Në aplikacionin e Minsitrisë së Turizmit dhe Agjencisë së Turizmit nuk mungojnë detajet për çdo event kulturor.
TEA është aplikacioni i parë i krijuar në Shqipëri, si kalendari i parë digjital për eventet e turizmit kulturor, sporteve dhe të traditës, i disponueshëm në Apple Store dhe në Play Store.
Në aplikacionin TEA do të pasqyrohen eventet e kategorive të ndryshme si Art Fest, Trashëgimi Kulturore, Festivale Muzikore, Sport, Koncerte, Folklor, Festa Lokale, Arte Pamore, Agroturizëm e Kulinari dhe Teatër. Janë mbledhur në çdo cep të Shqipërisë mbi 1110 evente nga më të ndryshmet dhe TEA do të sjellë informacionin për çdo event, për çdo preference e grupmoshë, në shqip dhe në anglisht. Çdo event brenda aplikacionit do të ketë faqen e tij të dedikuar me informacion të detajuar dhe përdoruesit do të njoftohen për eventet e tyre të preferuara kur data e tyre të afrojë.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro u kërkoi edhe operatorëve të telefonisë mobile që ta përfshijnë si njoftim në mesazhin SMS që u dërgohet vizitorëve të huaj të cilët hyjnë në territorin e Shqipërisë.