Dëshmitari Rrustem Mustafa, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Zonën Operative të Llapit, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, e ka përshkruar Jakup Krasniqin si ndër figurat më të respektuara të Republikës së Kosovës.
“Është prej figurave ma të respektuara në Republikë të Kosovës”, tha ai duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Jakup Krasniqit, avokates Venkateswari Alagendra.
Paraprakisht, dëshmitari Mustafa tha se Krasniqi gjithherë ka qenë intelektual dhe aktivist politik, i cili po krijonte besim në gjenerata dhe këmbëngulje që Kosova të jetë e lirë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ai pohoi se UÇK ka qenë e krijuar nga vullnetarë dhe ka pasur vështirësi në organizim dhe se asnjëherë nuk e arriti strukturën e rregullt të ushtrisë.
Më tej, avokatja Alagendra përmendi disa emra dhe kërkoi nga dëshmitari të pohojë nëse ata ishin nga zona e Llapit, e që këtë e pohoi Mustafa.
Nga regjioni ku po luftonin, ai pohoi se ishte Kadri Kastrati, Nuredin Ibiht, Latif Gashi, Nazim Mehmeti, Naim Kadriu, Hyzri Talla dhe Fatmir Humolli.
Lidhur me Jakup Krasniqin, dëshmitari tha se e ka njohur atë si zëdhënës i UÇK-së.
“Kam pa dokumente, sidomos u dëgju fjala prej që është formu Gjykata Speciale se Jakup Krasniqi paska qenë zëvendës i UÇK-së, mund të ndodh që ka qenë po unë s’e kam njohur ashtu”, tha ai.
Po ashtu, tha se ai beson se as të tjerët nuk e kanë njohur Krasniqin si zëvendëskomandant.
Duke iu paraqitur libri i Skender Zhitisë dhe që ishin bërë dy emërime për zëvendëskomandantë dhe atë Sokol Bashota dhe Jakup Krasniqi si zëvendës për mbështetje, Mustafa tha se si mbështetës të aspektit politik të UÇK-së e ka njohur, por ai ka komunikuar me të gjithnjë si zëdhënës i UÇK-së.
Tutje, i paraqitet libri “Një rrëfim për luftën dhe lirinë”, ku Mustafa konfirmon se Krasniqi ka qenë në Rambuje si zëdhënës i UÇK-së dhe roli i tij në këtë delegacion ka qenë i njohur publikisht.
Dëshmitari po ashtu pohoi se Krasniqi ishte emëruar si zëdhënës i Qeverisë së përkohshme dhe kishte mbetur në këtë pozitë deri pas luftës.
Ndërkaq, lidhur me deklarimin e dëshmitarit se të gjithë anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm qëndronin jashtë vendit kurse kishte përmendur Jakup Krasniqin si një ndër përjashtimet, Mustafa më tej tha se është e vërtetë që në mes të marsit ‘99, Krasniqi kishte shkuar në Tiranë.
Kurse, tha se në verën e ‘99-ës e di se Krasniqi kishte qenë ministër për Rindërtim dhe Zhvillim, duke shtuar se e di që ka qenë ministri më i suksesshëm në atë Qeveri të Kosovës.
Në vazhdim, dëshmitari është përgjigjur disa pyetje lidhur me aktivitetin e tij në LDK, ku tha se ai personalisht kishte qenë anëtar i forumit rinor të LDK-së, kurse e di se Krasniqi kishte qenë kryetar i këshillit arsimor në Drenas si anëtar i LDK-së.
“Gjithë udhëheqësit politik të LDK-së atëkohë, Podujevë, Prishtinë dhe Fushë-Kosovë, kanë qenë logjistikë e UÇK-së”, sqaroi Mustafa.
Ai pohoi se pas luftës edhe anëtarë të UÇK-së i janë bashkëngjitur LDK-së, duke përfshirë Nuredin Ibishin.
Më tej, dëshmitari Mustafa pohoi se nuk i kujtohet se ka pasur mbledhje të Shtabit të Përgjithshëm, ku është diskutuar për bashkëpunëtorë, me arsyetimin se ka pasur çështje shumë më të rëndësishme.
Por, ai konfirmoi se mendon se edhe po të kenë qenë takime të tilla, ka shumë pak mundësi që Jakup Krasniqi të jetë pjesë e takimeve të tilla.
Remi tha se nuk i kujtohet nëse është mbajtur mbledhje e tillë, por edhe po të jetë mbajtur nuk i kujtohet të ketë marrë ndonjë dokument apo për çfarë ka marrë atë dokument nëse e ka marrë dhe nuk i kujtohet nëse i është kërkuar të shpërndahet si i tillë.
Seanca ka vazhduar me pyetjet plotësuese nga prokurorja speciale Clare Lawson.
Remi thotë se shumica e anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, qëndruan jashtë vendit në pjesën më të madhe të konfliktit
(Përditësuar, ora 11:45)- Dëshmitari Rrustem Mustafa- Remi, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Zonën Operative të Llapit, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, të hënën tha se shumica e anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, kanë qëndruar jashtë vendit në pjesën më të madhe të konfliktit.
“Të gjithë qëndronin jashtë vendi, me përjashtim të Jakup Krasniqit, Ramë Bujes dhe komandantët e zonave, të gjithë të tjerët qëndronin jashtë vendit”, tha Remi.
Këtë deklarim, ai e bëri duke u përgjigjur në pyetjen e mbrojtësit të Veselit, avokatit Ben Emmerson, i cili e pyeti se a është në dijeni se disa anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm, përveç Azem Sylës, qëndronin jashtë vendit për pjesën më të madhe të konfliktit nga nëntori ‘98 deri në mars ‘99, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Përgjigjen e lartpërmendur, Mustafa e kishte dhënë në sesion privat gjatë disa pyetjeve të avokatit Emmeson, por më pas në seancë publike u lexua dhe u konfirmua nga dëshmitari.
Paraprakisht, dëshmitari Mustafa ka thënë se para kohës së Ramubujesë nuk e kishte ditur se Azem Syla ka qenë komandat i përgjithshëm i UÇK-së, duke vazhduar të thotë se tani e di se kështu ka qenë, por se personalisht kishte menduar se ai merret me logjistikë, pasi që bazën e ka pasur në Tiranë
Tutje, pohoi se si komandant i zonës operative të Llapit nuk e kishte ditur se kush e ka marrë rolin e komandantit nga Shtabi i Përgjithshëm.
Andaj, tha se duke qenë se Bislim Zyrapi ka qenë në rolin e shefit të Shtabit të UÇK-së dhe se ka qenë person me përvojë ushtarake, ka qenë i mendimit se Zyrapi mund të kishte qenë komandant.
Mustafa u përgjigj me “po” në disa çështje që Emmerson e pyeti se pas marrëveshjes së Rambujesë ishte formuar Qeveria e përkohshme e Kosovës, se Azem Syla ishte bërë ministër i Mbrojtjes dhe se Bislim Zyrapi ishte bërë shef i kabinetit në Ministrinë e Mbrojtjes.
Në vazhdim, mbrojtja e Rexhep Selimit, ndonëse kishin planifikuar 5 orë pyetje për ish-komandant Remin, në këtë seancë kanë informuar gjykatën dhe të tjerët se nuk kanë pyetje për të bërë.
Seanca ka vazhduar me marrjen në pyetje të Mustafës nga mbrojtja e Jakup Krasniqit.
Ish-komandant Remi po vazhdon edhe sot të merret në pyetje nga mbrojtja e Veselit
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, dëshmitari Rrustem Mustafa, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Zonën Operative të Llapit, po vazhdon dëshminë e tij, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Veselit.
Dëshmitari Mustafa në seancën e së hënës ka vazhduar të përgjigjet në pyetjet e avokatit mbrojtës Ben Emmerson, i cili ka filluar ta marrë në pyetje këtë dëshmitar në sesion e pasdites të së premtes, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Mustafa ka filluar dëshminë e tij në seancën e së martës dhe ka vazhduar në seancat e së mërkurës, të enjtes dhe të premtes.
Ndryshe, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi, janë të pranishëm fizikisht në sallën e gjyqit gjatë seancës së sotme.
Ndryshe, gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.
Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.
Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill, 12 prill, 13 prill dhe më 17 prill.
Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë, kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt, dëshmia e të cilit përfundoi më 17 maj.
Tutje, dëshmitari i pestë ka filluar dëshminë më 17 maj dhe e përfundoi më 22 maj, ku filloi dëshminë dëshmitari i gjashtë i cili përfundoi dëshminë më 23 maj, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e shtatë.
Kurse, më 12 qershor ka filluar dëshminë e tij dëshmitari i tetë, i cili përfundoi dëshminë e tij më 14 qershor, ndërkaq me 15 qershor ka përfunduar dëshmia e dëshmitarit i nëntë.
Më 19 qershor ka përfunduar dëshminë dëshmitari i dhjetë, në ditën ku ka filluar dëshminë dëshmitari i njëmbëdhjetë i cili e ka përfunduar dëshminë e tij më 20 qershor. E më 10 korrik ka filluar dëshminë dëshmitari i dymbëdhjetë, i cili ka përfunduar dëshminë më 11 korrik, në seancën ku ka filluar dëshminë Rrustem Mustafa, ish-komandat i zonës operative të Llapit.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi