Përveç drejtorit të Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA) Aleksandar Vulin, i cili u sanksionua së fundmi, në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) janë edhe shtetas të tjerë serbë.
Kështu raportojnë mediat serbe, sipas të cilave, disa prej tyre janë të njohur për publikun e gjerë, si tregtari i armëve Slobodan Teshiq dhe biznesmeni kontrovers Milan Radojiçiq, ndërsa të tjerët pothuajse nuk njihen, përcjell Telegrafi.
Ndryshe, Zyra e Departamentit të Thesarit të SHBA-së për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) vendosi sanksione ndaj drejtorit të BIA-s dhe ish-ministrit të Brendshëm serb, Aleksandar Vulin.
Ai dyshohet për aktivitete korruptive, kryesisht në përhapjen e ndikimit malinj rus në Serbi, si dhe përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar, trafik droge dhe shpërdorim të detyrës publike.
Veprimet e tij, siç thuhet në raport, promovuan korrupsionin në institucionet shtetërore në Serbi, dhe me këtë nënkuptojmë keqpërdorimin e pozitës për interesa personale, e që përfshin përfshirjen në tregtinë e narkotikëve.
Vendosja e sanksioneve nga Departamenti Amerikan i Thesarit do të thotë se të gjitha asetet e personave nën sanksione të vendosura në SHBA janë të bllokuara. Në të njëjtën kohë bllokohen edhe kompanitë në pronësi të tyre apo me të cilat janë të lidhura.
Por, përveç Vulinit, vë në pah Nova.rs, në listën e lartpërmendur janë edhe shtetas të tjerë serbë, më saktë gjithsej 14 prej tyre, njëri prej tyre është Sllobodan Teshiq, tregtar armësh.
Teshiq është tregtari më i madh i armëve në Serbi dhe ai ishte i lidhur me dërgesa të dyshimta të armëve, për këtë arsye ai ishte në fokus të publikut ndërkombëtar në disa raste, madje ishte i kërkuar për një kohë nga Interpoli.
Por, pavarësisht se ai është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), kompanitë e tij vazhdojnë të eksportojnë armë.
Në këtë listë është edhe Goran Andriq, i cili menaxhon kompaninë “Velkom Trade” Beograd, dhe siç ka njoftuar më herët nga Ministria e Financave të SHBA-së, Andriq është një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Slobodan Teshiqit.
Përveç këtyre, lista përfshin shumë të tjerë bashkëpunëtorë të Teshiq, si Nebojsha Sharenac, Nikolla Brkiq, Esad Kapixhiq, dhe Zhelimir Petroviq.
Si bashkëpunëtorë të tij përmenden edhe Sreten Cvjetkoviq, Zoran Petroviq, Milan Subotiq dhe Ljubo Mariçiq, të cilët po ashtu janë nën sanksione.
Gjithashtu, aty gjenden edhe biznesmeni kontrovers Milan Radoiçiq, i cili ishte i lidhur me vrasjen e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq.