Escobar flet për marrëveshjen Bislimi- Lajçak për deeskalimin në Veri: Ende s’ka përkushtim të plotë të Kosovës

by informim

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha të martën se ka marrë zotime nga Serbia se nuk do të kundërshtojë zgjedhjet e reja në veri të Kosovës, ndërsa paralajmëroi se ajo do të përballet me pasoja nëse nuk vepron në pajtim me zotimet e saj.

Qeveria e Kosovës, tha ai, duhet të veprojë në harmoni me kërkesat e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe aleatëve të tjerë të saj për shtensionimin e situatës në komunat veriore të banuara me shumicë serbe.

banner

Ai i ka bërë këto komente gjatë një seance dëgjimore të Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve, mbi rolin e Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor.

Zoti Escobar vuri theksin te situata në veri të Kosovës dhe dhuna e protestuesve serbë kundër KFOR-it, policisë dhe gazetarëve në atë pjesë. Tensionet u rritën në fund të muajit maj kur kryetarët shqiptarë të komunave veriore të Kosovës, morën detyrën me mbështetjen e policisë pas zgjedhjeve lokale të muajit prill të cilat u bojkotuan nga serbët.

Perëndimi kërkon uljen e tensioneve përmes një plani evropian që parasheh pezullimin e operacioneve policore në veri, zhvendosjen e kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakushtëzuara të serbëve të Kosovës.

Ndonëse qeveria e Kosovës është pajtuar për hapat e parë të uljes së tensioneve, zoti Escobar tha se, “ende nuk ka një përkushtim të plotë të Kosovës por pajtohemi me Kosovën për shume standarde demokratike që ajo dëshiron të zbatojë dhe pajtohemi me Kosovën se ata që sulmuan gazetarët, policët e Kosovës dhe trupat e KFOR-it duhet të dënohen. Por edhe më tej do të donim të shihnim harmonizim më të madh me planin evropian”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkroi më herët gjatë ditës e “prej javës së kaluar e kemi zvogëluar praninë e Policisë së Kosovës me 25 për qind në tre ndërtesat komunale në veri. Tani kemi nisur t’ua hapim rrugëve zgjedhjeve të parakohshme…”.

Zoti Escobar tha se pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet e reja duhet të jetë e pakusht dhe Serbia është zotuar të mos kundërshtojë një gjë të tillë. Ai paralajmëroi se Beogradi do të përballet me pasoja nëse vepron ndryshe.

Kosova tashmë është përballur me masa ndëshkuese nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për shkak të situatës në veri.

Escobar: Nuk ka vullnet të mirë të palëve për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit

Zoti Escobar tha se me shtensionimin e situatës në veri, palët duhet t’i kthehen zbatimit të marrëveshjes së arritur në shkurt dhe në muajin mars për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve.

“Një element thelbësor është përmbushja e detyrimit të Kosovës që nga viti 2013 për të themeluar Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Asociacioni do të fuqizojë komunat me interesa, gjuhë dhe kulturë të përbashkët për të bashkërenduar sfidat e përbashkëta në ofrimin e disa shërbimeve publike, duke përfshirë arsimin, kujdesin shëndetësor dhe zhvillimin ekonomik lokal”, tha zoti Escobar, duke nënvizuar se Asociacioni nuk do të bie ndesh me rendin kushtetues të Kosovës.

“Marrëveshja i kërkon Serbisë që ta njohë sovranitetin e Kosovës dhe tërësinë e saj tokësore, t’i njohë simbolet kombëtare, flamurin, dokumentet qeveritare, diplomat, targat e makinave dhe e ndalon Serbinë që ta bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”, tha zoti Escobar.

Ndonëse nuk sheh vullnet të mirë të palëve për zbatimin e marrëveshjes, megjithatë, zoti Escobar shpreson për një përparim të rëndësishëm brenda këtij viti.

I pyetur nga ligjvënësit se çfarë po bën administrata amerikane për të bindur pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës të ndryshojnë qëndrimin e tyre, zoti Escobar tha se marrëveshja e Ohrit ofron mundësinë më të madhe në 15 vjetët e fundit për një fushatë më të gjerë të njohjeve për Kosovën.

“Shumica e shteteve do të dëshironin ta shihnin gatishmërinë e Kosovës që ta përmbushë pjesën e saj të marrëveshjes, që është Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Kjo është njëra prej arsyeve pse e kam shtyrë Qeverinë e Kosovës që ta çojë përpara këtë gjë – me mbështetjen amerikane – përmes një rruge që Asociacioni të mos e rrezikojë kushtetutën, apo strukturën ligjore, që të mund të nisim këtë vit fushatën e njohjeve. Deri tani nuk e kam marrë atë zotim nga qeveria e Kosovës”, tha ai.

Problemet kryesore të Ballkanit Perëndimor

Zoti Escobar tha në fjalën e tij se politika amerikane në Ballkanin Perëndimor mbështetet në parimin e integrimit të rajonit në strukturat euroatlantike.

“Ky integrim forcon Evropën si një partnere gjeostrategjike; forcon qeverisjen demokratike dhe shtetin e së drejtës; dhe i bën vendet e Ballkanit Perëndimor më të sigurta dhe më të begata – dhe në këtë mënyrë rajonin me siguri më të mirë dhe partnerë për Shtetet e Bashkuara”, tha ai.

Por, zoti Escobar theksoi se pengesat për këtë proces janë të vështira, përfshirë ngecjen e procesit të demokratizimit, korrupsionin, varësinë nga energjia ruse, politikat etno-nacionaliste dhe ndikimin dhe dezinformimin e huaj të dëmshëm.

“Megjithatë, ato nuk janë të pakapërcyeshme. Ballkani Perëndimor duhet të ndërmarrë hapat e nevojshëm për t’u kualifikuar për anëtarësim. Angazhimi ynë po i ndihmon ata të luftojnë korrupsionin gërryes dhe dezinformimin që ushqen brishtësinë ndaj ndikimit keqdashës nga shtetet autoritare si Rusia dhe Kina, por edhe aktorë të këqij nga brenda. Angazhimi ynë është i përqendruar në zgjidhjen e tensioneve të vazhdueshme që kërcënojnë këtë rrugë dhe një qëndrueshmëri më të madhe rajonale”, tha ai.

Rreziqet për Bosnjën

Zoti Escobar u tha ligjvënësve se presidenti i Republikës Serbe në Bosnjë, Milorad Dodik, mbetet i përqendruar në prishjen e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit dhe kushtetutës së shtetit.

“Veprimet e vazhdueshme, seperatiste dhe antidemokratike të Dodikut kërcënojnë qëndrueshmërinë, sigurinë dhe përparimin e vendit dhe të rajonit. Ne do të vazhdojmë të drejtojmë gishtin për këto veprime dhe do të kërkojmë llogari nga çdo njeri që dëmton Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit ose kërcënon sovranitetin, tërësinë tokësore dhe karakterin shumetnik të vendit”, tha zoti Escobar.

Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut

Zoti Escobar tha se zgjedhjet e fundit presidenciale dhe parlamentare në Malin e Zi ishin të lira, paqësore dhe u ofruan votuesve një zgjedhje të gjerë. Rezultati përforcoi dëshirën e popullit të Malit të Zi për të arritur integrimin në BE dhe reformat që do ta nxisin atë, tha ai.

Si Shqipëria ashtu edhe Maqedonia e Veriut kanë hapur negociatat e anëtarësimit në BE, tha zoti Escobar duke nënvizuar se, “të dyja vendet janë partnerë solidë në inkurajimin e normalizimit midis Serbisë dhe Kosovës dhe të dyja janë aleatë të palëkundur të NATO-s”.

Integrimi transatlantik dhe evropian, tha ai, është thelbësor për zvogëlimin e ndikimit të dëmshëm të aktorëve si Rusia dhe Kina, por edhe aktorët lokalë të korruptuar, që kërkojnë të destabilizojnë rajonin dhe të pengojnë integrimin duke zgjeruar ndikimin e tyre.

“Rusia mbetet furnizuesi ekskluziv me gaz natyror për disa vende të Ballkanit Perëndimor, një kërcënim serioz për sigurinë rajonale. Dhe ndërsa bën luftë kundër Ukrainës, Kremlini ushqen dezinformimin, shpesh përmes mediave në gjuhën serbe, për të mbjellë ndarje, mosbesim dhe tensione ndëretnike dhe fetare. Kina bashkon narrativat tinëzare që dëmtojnë besimin në perëndimin me investime gracka. Ne ofrojmë alternativa për të ndërtuar rezistencë ndaj këtyre ndikimeve, për të harmonizuar partnerët me standardet e BE-së për prokurimet e infrastrukturës thelbësore dhe investimet e huaja, për të luftuar dezinformimin dhe për të zhvilluar burime energjie të pastra, të besueshme, të përballueshme dhe të larmishme”, tha zoti Escobar. /VOA

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy