kryeministri Kurti jep detaje nga vizita zyrtare në Greqi

by informim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë detaje nga vizita e tij zyrtare në Greqi.

Shefi i ekzekutivit ka thënë se në margjinat e edicionit të 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI, i mbajtur në Kretë, në takim me ish-kryeministrin e Greqisë, George Papandreou, e ka njoftuar për të arriturat e Kosovës dhe planet e qeverisë për zhvillimin dhe reformat për Fondin Sovran dhe Arsimin Profesional.

banner

Ai poashtu e njoftoi për drejtësinë sociale e ligjore dhe për historinë e luftës në të tashmen e paqes, për të kaluarën prej aktivisti e opozitari te fqinjësia e mirë e Kosovës që refuzohet nga Serbia.

“Në bashkëbisedimin me ish-kryeministrin e Greqisë, George Papandreou, që shërbeu si hapje për dy panelet dedikuar Ballkanit, tregova për të arriturat e Kosovës dhe planet e qeverisë sonë, për zhvillimin dhe reformat, për Fondin Sovran dhe Arsimin Profesional, për drejtësinë sociale e ligjore dhe për historinë e luftës në të tashmen e paqes, për të kaluarën time prej aktivisti e opozitari te fqinjësia e mirë e Kosovës që refuzohet nga Serbia”, ka shkruar Kurti.

Ai ka treguar se ky simpozium i sivjetëm është titulluar “Cila botë në vitin 2030? Trajtimi i Sindromës Icarus?”, ku në panele të veçanta me prezantime të mençura e diskutime të thella sipas Chatham House Rules, janë trajtuar tema e çështje të shumta: nga agresioni rus i papërfunduar në Ukrainë te pasojat e pamatshme të pandemisë Covid-19, nga demokracia dhe ligji në Ballkanin Perëndimor te siguria dhe burimet në Mesdheun Lindor, nga rritja ekonomike e gjelbër te përshpejtimi i Inteligjencës Artificiale, nga autonomia industriale evropiane te raporti i Evropës dhe ShBA-ve me Jugun Global, nga demokracia pjesëmarrëse dhe fushatat politike te një humanizëm i ri për shoqëri të pavdekshme.

“Filli që përvijohej në debate e shqyrtime anonte kah guximi i përbashkët teksa ëndërrojmë të ardhmen me numra jubilar vitesh, si dhe mbetej te shpresa gjersa të gjithë shqyrtojmë rreziqet e mundshme në vijim”, ka vijuar Kurti.

Ndryshe, kryeministri Albin Kurti është takuar me emisarin e Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, në Greqi, gjatë qëndrimit të tij atje, në kuadër të Simpoziumit SYMI.

Përmes një postimi në Twitter, Kurti ka thënë se me Lajçak kanë biseduar për uljen e tensioneve dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Pata një bisedë të gjatë me emisarin Mirosllav Lajçak në margjinat e Simpoziumit të 25-të të SYMI në Kretë për uljen e tensioneve dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ne mbetemi të përkushtuar. Moti ishte shumë më i nxehtë se diskutimi ynë”- ka shkruar Kurti.

Hapat e dakorduar janë: zvogëlimi i menjëhershëm i prezencës së Policisë brenda dhe përreth ndërtesave komunale, vlerësimi i vazhdueshëm i gjendjes për zvogëlim të mëtejmë të kësaj prezence, nxitje të zgjedhjeve të parakohshme lokale, si dhe vendosja e bazës së nevojshme ligjore.

Tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj 2023, kur kryetarët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë.

Ndryshe, Symi Simpoziumi sivjet u mbajt në Kretë. I nisur në vitin 1998 në ishullin Symi të Greqisë, që prej atëherë ka qarkulluar nëpër ishuj të ndryshëm duke mbledhur bashkë politikanë demokratë e diplomatë progresistë nga mbarë bota, filozofë, teoricienë, dhe ekspertë të njohur ndërkombëtarisht, aktivistë udhëheqës të organizatave civile e menaxherë të lartë të korporatave që afirmojnë përgjegjësinë shoqërore. 

https://www.facebook.com/albini2017/posts/827955958698133?ref=embed_post
banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy