Kurti në Greqi, Ramës s’i vjen keq që s’i shkoi në takim – për çka foli ai me liderët tjerë të rajonit?

by informim

Kryeministri Albin Kurti ka shkuar në Greqi, ndërkohë që në Tiranë të hënën u mbajt një takim i liderëve të Ballkanit Perëndimor, i thirrur nga kryeministri shqiptar, Edi Rama. Shefi i Qeverisë shqiptare tha se folën për planin e ri të mbështetjes financiare nga BE-ja. U shpreh i painteresuar ta komentojë mungesën e Kurtit, por tha se “kush deshi erdhi”. Në takim u raportua se nuk u pranua zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, por kabineti i tij tha se ai s’kishte në plan të shkonte.

Liderët e Ballkanit Perëndimor dje në drekë u mblodhën në Tiranë me ftesë të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Aty mungoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

banner

Në takimin ku mori pjesë edhe komisionari i Bashkimit Europian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varheyli, Rama njoftoi se folën për planin e ri të mbështetjes financiare dhe ekonomike të BE-së për Ballkanin Perëndimor.

“Tiranë – Sot pas takimit informal mbi Planin e Ri të mbështetjes financiare dhe ekonomike të BE-së për Ballkanin Perëndimor, me Komisionerin e Bashkimit Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Olivér Várhelyi, Kryeministrin e Republikës së Malit të Zi, Dritan Abazović, Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovačevski dhe Kryeministren e Republikës së Serbisë, Ana Brnabić”, shkroi Rama pas takimit.

Edi Rama në një konferencë për media refuzoi ta komentojë gjatë mungesën e Kurti në takimin jozyrtar.

I pyetur nëse i vjen keq që “vëllai i vogël” (Albin Kurti) nuk mori pjesë në këtë takim, Rama tha se ishin të ftuar të gjithë.

“Për sa i përket pyetjes së dytë, nuk shoh asnjë interes, sepse ishin të gjithë të ftuar dhe kush deshi erdhi, kush s’mundi s’erdhi”, tha Rama.

Pse s’shkoi Kurti?

Pasi s’e priti në Prishtinë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk shkoi as në Tiranë.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu tha dje se Kurti e ka njoftuar Ramën se “nuk do të mund të shkojë kësaj radhe, meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë”.

“Para një jave Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është ftuar nga Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama për një drekë joformale me Komisionerin Evropian Oliver Varhelyi në Tiranë e ku janë ftuar të marrin pjesë edhe kryeministrat e tjerë të Ballkanit Perëndimor. Kryeministri Kurti e ka njoftuar Kryeministrin Rama që nuk do të mund të shkojë kësaj radhe meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë e ku paneli për Ballkanin Perëndimor është saktësisht në ditën e njëjtë e në kohën e njëjtë. Natyrisht Kryeministri Kurti do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë, data e të cilit dihet: 16 tetor 2023”. Ky ishte shpjegimi i Kryeziut në Facebook.

Bislimi s’u pranua apo s’e kishte në plan t’i shkonte Ramës në takim?

Paraditen e djeshme, mediat shqiptare raportuan se në këtë takim Kosova do të përfaqësohej nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Abcnews.al raportoi se Bislimit i ishte komunikuar se “niveli i tij është dytësor dhe jo i përshtatshëm dhe se dosja e takimit do t’i dërgohet me postë të sigurt qeverisë së Kosovës, përkatësisht zyrës së kryeministrit”.

Por reagoi Klisman Kadiu, këshilltari për media i Bislimit. Tha se raportimet për pjesëmarrjen e Bislimit nuk ishin të vërteta dhe se ai s’ka planifikuar të shkojë në atë takim.

“Lajmi i djeshëm për pjesëmarrjen e zëvendëskryeministrit Bislimi në takimin joformal në Tiranë nuk është i vërtetë. Nuk ka qenë i planifikuar e aq më pak i konfirmuar. Meqë nuk ka patur asnjë konfirmim nga zëvendëskryeministri Bislimi, atëherë nuk ka mundur as t’i refuzohej pjesëmarrja apo prania e tij”, shkroi Kadiu në Facebook.

“Prandaj edhe raportimet nga disa media shqiptare në lidhje me refuzimin nuk janë gjë tjetër veçse spekulim dhe duke qenë i tillë veç mund të spekulojmë për origjinën e tij”, shtoi ai.

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy