Të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, zyrtarët e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Besim Asllani dhe Arben Hasi në cilësi të dëshmitarëve kanë thënë se pas vënies në dijeni për aktgjykimin me numër C.nr.724/09, kishin qenë jashtë çdo afati ligjor për parashtrim të ankesës.
Në këtë rast, të akuzuarit Nexharije Hoti, Mehmet Prishtina, Dukagjin Emërllahu dhe Avni Maxhuni, po akuzohen për “Krim të organizuar”, “Nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore”, “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Falsifikim i dokumentit zyrtar”, “Shpëlarje e parasë” dhe vepra të tjera.
Kurse, ndaj të akuzuarve Reshat Fetahu dhe Gani Ademi, ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale ndaj tyre për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Fillimisht seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Asllani, i cili kishte filluar të dëgjohet në seancën e kaluar të mbajtur më 10 maj 2023.
Ai ka thënë se pasi që e kishin kuptuar për aktgjykimin me numër C.nr.724/09, zyrtarët më me përvojë, Departamenti Ligjor si dhe menaxhmenti i AKP-së, ka ndërmarrë veprime nëpër institucionet kompetente si prokurori, gjykatë dhe polici.
Sipas tij, kishte kaluar çdo afat i mundshëm për përdorim të mjeteve të zakonshme siç është ankesa, andaj kishin përdorur mjetet e jashtëzakonshme, si kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë, kërkesa për prokurorinë e të tjera.
Lidhur me epilogun e procedurës disiplinore brenda AKP-së ndaj Serpil Aliut, dëshmitari ka thënë se nuk ka njohuri për këtë çështje, por nga ajo ditë e njëjta nuk punon në këtë institucion.
Pas tij u dëgjua dëshmitari Arben Hasi, i cili ka thënë se punon në AKP, në cilësi të zyrtarit të lartë ligjor, kurse gjatë viteve 2010-2011, si zyrtar ligjor.
I njëjti ka thënë se kolegu i tij Ilir Loci, i cili ishte i ngarkuar me përfaqësim në lëndën në fjalë, i kishte shkuar në zyrë, me ç’rast kishte diskutuar se është vështirë dhe sfiduese për të.
I njëjti mes të tjerash ka thënë se kanë kërkuar që lënda të kaloj në Dhomën e Posaçme, Gjykatën Supreme, mirëpo nga të njëjtit ishte pretenduar se nuk mund të tërhiqet lënda nga Gjykata Komunale, pasi që kishte një aktgjykim të formës së prerë.
Sipas tij, si AKP nuk ishin në dijeni dhe nuk kishin pranuar asnjëherë aktgjykimin në fjalë, për faktin se çdo dokument që pranohet e ka datën dhe numrin e protokollit, ku sipas tij ky aktgjykim nuk ishte futur në protokoll asnjëherë në AKP.
Ai ka theksuar se nuk kanë mundur të parashtrojnë ankesë, pa e pranuar aktgjykimin.
Dëshmitari Hasi tha se ndaj zyrtares së administratës në AKP, Serpil Aliu kishin filluar procedurat disiplinore, për shkak pretendimeve të shkeljeve apo mospërmbushjeve të detyrave të përshkruara në kontratë, e të cilat ndërlidheshin direkt me aktgjykimin në fjalë.
Duke shtuar se kopja e këtij aktgjykimi ka qarkulluar, por që asnjëherë nuk e kishte parë aktgjykimin origjinal.
Ai ka potencuar se kur ishin ra në dijeni nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, veçse kishin ikur të gjitha afatet për ushtrimin e mjetit juridik.
Në lidhje me rastin, dëshmitari Hasi ka thënë se brenda dhomës posaçme kishin marrë disa veprime procedurale, duke u munduar ta argumentonin se nuk e kishin pranuar aktgjykimin dhe se nuk kishte të bënte me lëshim të afatit.
Dëshmitari Hasi ka shtuar se i kishin bërë propozim prokurorisë për inicimin e procedurës për mbrojtje të ligjshmërisë.
Sipas tij, ankesa e tyre ishte shpallur e pasafatshme dhe se duke e ditur se vendimet e dhomës së posaçme janë të paankimuar ishin të kufizuar në ndërmarrjen e veprimeve.
Në këtë seancë është dëgjuar edhe dëshmitari Ramiz Veliu, i cili mes të tjerash ka thënë se me Mirasd Jetullahun ishin marrë vesh për tokën dhe çmimin e saj, ku sipas tij Jetullahu i kishte thënë se ishte i autorizuar dhe se nuk do të ketë problem.
Ai tha se e kishte blerë pak më tepër se 4 ari e diçka, ku një ari ka qenë 7 mijë euro, që i kishte kushtuar rreth 30 mijë euro. Sipas tij, pagesën e kishte kryer me procedurë të rregullt përmes bankës.