Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, ka thënë se goditja e 14 qershorit nga qeveria për Klan Kosovën është dëm i pakthyeshëm dhe i pariparueshëm për lirinë e medias, pavarësisht vendimit që do të merret në vazhdim.
Sipas Rexhës, kjo do të ndikojë në raportet e vitit të ardhshëm për lirinë e medias në vend, sepse sipas tij, përveç vendimit, fushata që ka pasuar nga njerëzit e pushtetit, për AGK-në është shqetësuese, njerëz të cilët kanë vazhduar që ta lidhin Klan Kosovën me Serbinë.
“Duke thënë që ka bërë propagandë për Serbinë, kur ne të gjithë jemi dëshmitarë për funksionimin shumëvjeçar të Klan Kosovës dhe i dimë të gjitha lajmet, emisionet janë publike dhe një akuzë e tillë është e papranueshme dhe e rrezikon sigurinë e të gjithëve që punojnë në Klan Kosova”.
“Dhe preokupimi në AGK është gazetari dhe punëtorët medialë që mund të pësojnë nga mbyllja eventuale e Klan Kosovës, por që po pësojnë edhe tash me këtë propagandë të egër që sa herë që dikush që poston, gjithmonë ka akuza ose të njerëzve në pushtet ose simpatizantëve të partisë në pushtet, për ta lidhur me Serbinë dhe kjo duhet ndaluar e është vendim politik për ta ndaluar”, tha Rexha në Rubikon në Klan Kosova
Tutje, ai tha se vendimi i qeverisë ndaj Klan Kosovës është politik, pasi siç tha, po të ishte teknik, do të rregullohej me një email.
“Ajo që shkruhet në vendim, mënyra e regjistrimit në Maqedoninë Veriore dhe si i referohen qyteteve të Kosovës, dhe insistimi i Ministrisë që kjo është kundër-kushtetuese, kjo në fakt tregon që vendimi është politik”.
“Po të ishte teknik, do të rregullohej, do të dërgohej një email, do të shkonin njerëzit atje dhe do t’i rregullonin dokumentet dhe besoj që mund të ketë edhe qindra biznese të tjera që mund të kenë probleme të tilla dhe Ministria iu shkruan, shkojnë dhe vazhdojnë”, tha Rexha, njofton Klankosova.tv.
Më tej, kreu i AGK-së tha se do të ishte goditje fatale në rast që politikisht vazhdohet me vendimin, ku siç tha, pasi vendimi i komisionit për ankesa në ARBK, por edhe i vetë ministrisë prapë mund të ketë ndikim politik.
“Ministrja mund të ketë ndikim, duke marrë parasysh që e kemi parë në këto dy vjet se si funksionon kjo qeveri dhe çfarë sentimenti anti-media ka, atëherë frika ime që prapë vendimi mund të jetë politik, por shpresojmë që kjo mos të ndodhë”, tha Rexha