Kërkesat për ujë të pijshëm janë rritur.
E në disa pika furnizuese po ka edhe reduktime.
Megjithatë pas reshjeve të shiut, konsumi i tij po shihet me rrezik nga disa banorë të Prishtinës.
“Gypat përcjellës e ata nëntokë mund të jenë edhe të infektuar, rreziku është më i madh po megjithatë derisa është e klorizume duhet ta pijmë”, thotë banori Hysni Thaçi.
“Ujë kemi rregullisht, nuk kemi mungesë të ujit, ka natën e ditën, na vyn për pastërti, për banjo e për gjithçka, kemi ujë boll po për pije nuk e përdorim”, deklaroi qytetari tjetër Adem Aliu.
Ndërsa disa banorë të tjerë e konsiderojnë ujin e qezmes më të sigurt se ai në shishe plastike.
Por sipas Ujësjellësit Rajonal ‘’Prishtina’’, cilësia e ujit është në nivel dhe nuk përbën kurrfarë rreziku për shëndetin e përdoruesve.
“Uji i qeshmes është shumë më i sigurt se sa uji që blihet në bidona apo në shishe plastike sepse ne nuk e dimë ai ujë a ka qëndruar në diell – është në shishe plastike, a është kontaminuar apo ka qëndruar për një kohë të gjatë. Asnjë qytetar nuk e di paletën që e merr me ujë të pijshëm, në të njëjtën kohë uji i ujësjellësit që kalon dhe që rrjedh nëpër gypa dhe vjen deri tek krojet e qytetarëve është 100% i pijshëm”, bëri të ditur Arjeta Mjeku, nga Ujësjellësi Rajonal “Prishtina”.
E se sa shpesh bëhen analizat e ujit për pije e tregojnë vet kimistët.
“Çdo dy orë bëhet analiza kimiko-fizike e ujit të Prishtinës. Unë jam më i sigurt në atë ujë se në këtë që ndoshta rrin në diell”, deklaroi kimisti për analiza të ujit, Hajredin Gagica.
Nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit ‘’Prishtina’’ ditët e fundit është bërë thirrje në vazhdimësi për shpenzim racional të ujit të pijshëm.