93 trupa të KFOR-it, misionit të NATO-s në Kosovë, kanë mbetur të lënduar nga tensionet në veri që ndodhën në fund të majit të këtij viti, ka bërë të ditur shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një takim që pati me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Bruksel të mërkurën.
Stoltenberg ka bërë thirrje që Kosova dhe Serbia të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe të parandalojnë përshkalëëzimin.
“Takim i mirë me presidentin Vuçiq për të diskutuar dhunën e fundit në veri të Kosovës, e cila la 93 trupa të KFOR-it të lënduar. NATO ka dislokuar trupa shtesë dhe zbaton mandatin e OKB-së në mënyrë të paanshme. Prishtina dhe Beogradi duhet të parandalojnë përshkallëzimin dhe të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, ka shkruar Stoltenberg në Twitter.
Zyrtarisht është thënë se numri i ushtarëve të lënduar të KFOR-it gjatë trazirave në veri ishte rreth 30. Për herë të parë, Stoltenberg bëri me dije se numri është më shumë se trefish më i madh.
Situata në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – është tensionuar qysh në fund të majit, kur Policia e Kosovës ka asistuar kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit e Zubin Potokut të hynin në ndërtesat komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë serbë. Tensionet kanë kulmuar në dhunë më 29 maj, kur protestuesit serbë në Zveçan janë përleshur me ushtarë të KFOR-it. Dhjetëra të plagosur janë raportuar nga të dyja anët.