Visar Azemi nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë se Qeveria ka prodhuar drama sa i përket situatës në veri, e sërish i ka pranuar kushtet e faktorit ndërkombëtar, të cilat janë kërkuar në fillim.
I ftuar të enjten në “Interaktiv” të KTV-së, teksa ka thënë se me këtë qasje vetëm është humbur kohë, Azemi ka shtuar se nuk është fitore qëndrimi i kryetarit të Leposaviqit, Lulzim Hetemi, brenda komunës për dy muaj, të cilin e ka krahasuar me realityshow-in “Big Brother”.
“Është rrezikuar interesi kombëtar kur ne kemi prodhuar drama dhe prapë jemi kthyer i kemi pranuar ato kushte që na i kanë kërkuar në fillim. Vetëm kohë kemi humbur, nuk është se kemi fituar diçka. Çka fituam me zgjedhjet që i mbajtëm në veri, a mendoni se është fitore qëndrimi i Lulit në komunë si në ‘Big Brother’ dy muaj pa dalë prej shtëpisë? Jo. Prapë do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme”, është shprehur ai.
Sipas kryetarit të degës së LDK-së në Ferizaj, qasja e kryeministrit Albin Kurti është e turpshme dhe e dëmshme për Kosovën.
“(V.J. qasja e Kurtit) katastrofale, jo vetëm e turpshme, por edhe e dëmshme sepse kjo Kosovën e bëri me sanksione. Jo këtë rrugë, sepse Kosova meriton më shumë dhe më mirë.