Deputeti Haki Abazi ka kritikuar Qeverinë Kurti sa i përket kontratës për lobim në SHBA. Ai tha se në bazë të informacioneve, përfaqësues i kompanisë për lobim në SHBA që është kontraktuar nga Qeveria e Kosovës e ka shuar Këshillin shqiptaro-amerikan për shkak të keqmenaxhimit të fondeve.
“Se kjo qeveri nuk e ka as idenë se çfarë po bën, tregon edhe kontrata për lobim në SHBA. Sipas informacionit, kompania e angazhuar nga qeveria e Kosovës për lobim në SHBA, para së gjithash përfaqësuesi e ka shuar Këshillin Shqiptaro Amerikan për shkak të keqmenagjimit të fondeve duke humbur statusin “earmarked funding” nga qeveria amerikane. Si pasojë sot nuk ekziston Këshilli Shqiptaro Amerikan!”, ka shkruar ai.
Abazi ka shkruar se përfaqësuesi ka qenë kundërshtari më i madh i çdo ndryshimi politik në Kosovë.
“E dyta, përfaqësuesi ka qenë kundërshtari më i madh i çdo ndryshimi politik në Kosovë. Në mënyrë aktive dhe madje shumë joprofesionale duke keqinformuar dhe manipuluar me informacion kundër të gjithë atyre që kanë pasë qëndrim e angazhim kundër grupeve të korrruptuara dhe të kriminalizuara, për këte është ballafaquar drejtpërsëdrejti”, ka shkruar Abazi.
Sipas tij, ndikimi i përfaqësuesit lobues në Washington DC, është i barabartë me zero “në mos negativ për shkak të rolit të tij në shuarjen e Këshillit Shqiptaro Amerikan”.
“Mungesa e thellë e njohurive dhe informacionit dhe arroganca e Ministrës së Punëve të Jashtme jo që ka dëmtuar seriozisht interesin e Kosovës por vebdimet janë bërë burim i dëshprimit dhe dekurajimit për diplomatët dhe punën e tyre në vendet përkatëse”, ka shkruar Abazi në Facebook.