Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Listës Guxo, Haxhi Avdyli ka reaguar pasi AAK ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese ligjin për pagën minimale.
Haxhiu në reagimin e tij ka thënë se sipas kësaj opozite, Kuvendi i Kosovës dhe vendimet e të zgjedhurve të popullit nuk vlejnë asgjë,
“Sipas logjikës së tyre për çdo vendim duhet të pyetet Gjykata Kushtetuese, e parlamentit me ia vendos drynin. Ata do duhej që edhe zgjedhjen e qytetarëve më 14 shkurt ta dërgonin në Gjykatë kushtetuese, ndoshta ua kishin dhënë fitoren në tavolinë. Apo ndoshta sipas tyre duhet shuar edhe partitë dhe të mos ketë vendime bazuar ne pluralizëm e demokracinë e shumicës”, ka pohuar ai.
Deputeti ka deklaruar se opozita ka nisur ta humb edhe arsyen.
“Opozitë në rrugë pa kry, të humbur, të dëshpëruar nga humbja e privilegjeve si duket kanë nisur të humbin edhe arsyen”, vijon reagimi i tij.
Ndryshe, Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale.
Tahiri para mediave pohoi se Qeveria ka bërë disa shkelje lidhur me këtë ligj.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për pagën minimale me 60 vota për, një abstenim dhe asnjë votë kundër. Ligji parasheh rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto ose 250 euro neto.
Deri tani, paga minimale në Kosovë është ndarë në dy kategori: 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për të punësuarit mbi 35 vjeç.