Ligjëruesi i medias dhe konfliktit, Abit Hoxha, ka thënë se Qeveria Kurti do duhej ta shfrytëzonte luftën në Ukrainë dhe t’i bashkërendonte veprimet me partnerët ndërkombëtarë.
Sipas Hoxhës, Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti e keqlexoi situatën dhe për pasojë, siç ka thënë ai, me veprimet në veri dëmtoi imazhin ndërkombëtar të Kosovës
“Kosova ka pasur një shans të mire të bashkërendojë agjendën me partnerët ndërkombëtarë në këtë kontekst [me nisjen e luftës në Ukrainë. Edhe imazhi ndërkombëtar i Kosovës ka ndryshuar që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Telashet me Perëndimin nisen me ato që ne në Kosovë i konsiderojmë çështje të brendshme. E para ishte çështja e targave, për të cilat më vonë u tërhoq”, ka thënë Hoxha në “Interaktiv” të KTV-së.
“Indikacionet tregojnë se ka një keqlexim të situatës nga Qeveria Kurti. Që nga shatori i vitit të kaluar [kur nisi çështja e targave] e deri më tani, Kosova ka përfituar zero nga kjo çështje dhe agjenda ndërkombëtare e Kosovës vetëm sa ka stagnuar dhe ka shkuar mbrapa. Masa ndëshkuese më e madhe ndaj Kosovës është politike, pra ai i dëmtimit i imazhit”, ka shtuar ai.
Sipas tij, Kurtit në dialog i mungon “elokuenca diplomatike e refuzimit”.
Hoxha ka vlerësuar se veprimet që janë marrë nga Qeveria Kurti në veri mund të jenë të ligjshme dhe të domosdoshme, por e ka vënë në pikëpyetje nëse ato janë në interesin e Kosovës.
“Veprimet në veri mund të jenë legjitime dhe të domosdoshme, por është a interes i Kosovës që të jenë ato veprime siç janë ndërmarrë… Është një pikëpyetje e madhe. Kontrabandë ka edhe në jug, jo vetëm në veri. Shtrirja e sovranitetit në veri duhet të jetë përkitazi me interesin e Kosovës. Interesi i Kosovës është të bashkërendojë veprimet me SHBA-në dhe BE-në”, ka theksuar ligjëruesi.
Derisa të jenë në pushtet Albin Kurti në Kosovë dhe Aleksandar Vuçiq në Serbi, Hoxha ka thënë se marrëveshja përfundimtare nuk është as në horizont.