Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pritur në takim togerin, Ylli Dalladaku i cili studimet në akademinë ushtarake i kreu në WestPoint të SHBA-së.
Osmani lavdëroi arritjet e tij, duke thënë se është shembull i një rezultati edhe kur ka aleatë të fuqishëm.
“Toger Ylli Dalladaku është shembull i rezultateve që arrihen kur ka punë e përkushtim si dhe aleatë të fuqishëm. Në njërën anë, përgatitja e tij shembullore, e në anën tjetër përsosmëria e kurseve ushtarake amerikane, rezultuan me suksesin e jashtëzakonshëm të Yllit, e nëpërmjet tij edhe të Kosovës. I suksesshëm në West Point, i suksesshëm në kursin bazik të oficerit të këmbësorisë në SHBA dhe i suksesshëm në përfundimin e shkollës ‘Ranger’ që është kursi më sfidues në ushtrinë amerikane. Suksese Ylli! E gjithë Kosova është krenare me ty!”, ka shkruar Osmani.
Toger Ylli Dalladaku, ka përfunduar me sukses njërin nga kurset më sfiduese në ushtrinë amerikane, “Ranger Course”.
Dalladaku do të vazhdojë shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës ku do të transmetojë njohuritë e fituara nga ky kurs tek pjesëtarët e FSK-së.