Shkruan: Liri LENA / Shkup
Vështirë qenka të mënjanosh ndjenjën e inferioritetit , servilizmit , të të nënshtruarit . Mbase ky fenomen nuk është karakteristikë vetëm e popullit shqiptar në Maqedoni , mund të haset edhe te popujt e tjerë të vegjël nga aspekti i numrit të tyre.
Por te ne shqiptarët e Maqedonisë kjo dukuri është shumë e theksuar dhe përfshinë shtresa të tëra të shoqërisë. Bile me e theksuar është edhe tek shtresa intelektuale , të cilët e ndjejnë veten shumë ulët , natyrisht në krahasim me palën tjetër të intelektualëve që veten e quajnë maqedonas. Kjo ndjenjë shkallëzohet edhe më tej dhe maqedonasit ndjehen tepër poshtë nga serbët, të cilët kanë mundur të depërtojnë thellë në shpirtin e tyre intelektual, sa veten e vet maqedonasit e identifikojnë me botën kulturore serbe.
Këtu duhet theksuar se ka edhe përjashtime por si dukur është mjaftë e përhapur te të dy popujt në Maqedoni, tek shqiptarët dhe Maqedonasit. Kështu ka qenë edhe në sistemin e mëparshëm kur Maqedonia ishte në përbërje të Jugosllavisë së Titos. Nga ai sistem ka mbetur e në shpirtin intelektual të shqiptarëve ndjenja e frikës nga pushteti, për shkak të represaljeve të shumta që bënte sigurimi i policor i Jugosllavisë natyrisht duke bërë eksperimentet paraprake ndaj shqiptarëve në Jugosllavi, duke u dhënë dorë të lirë pushtetit maqedonas të kontrolluar mirë nga serbët që të bëjnë të gjitha të zezat ndaj shqiptarëve të Maqedonisë. Tani kanë mbetur të dyja praktikat e pushtetit titist.
Ndjenja e inferioritetit dhe e të nënshtruarit tek shqiptarët dhe përparësia për të dominuar mbi ta në palën maqedonase. Por me ndryshimet që ndodhën me shpartallimin e RFSJ të Titos, raportet kanë marrë kahe të tjera. Presioni i praktikës së sistemit të mëparshëm dhe depërtimi i frymës “demokratike” në vend bënë që të përballen këto dy dukuri të mëparshme . Njëra që të mos ndryshojë pozitën e vet ndërsa e dyta tenton të përmirësojë pozitën e mëparshme , duke kërkuar pozicionim më të mirë. Maqedonasve u duket si çudi, se gjoja ndërkombëtarët po përkrahin shqiptarët.
Kjo natyrisht se nuk është e vërtetë. Por maqedonasit janë mësuar që të dominojnë më dorën e zgjatur të Serbisë dhe kujtojnë se edhe Brukseli dhe Uashingtoni janë Beograd. Deri tani politika maqedonase është udhëhequr nga kjo filozofi. Atyre u vjen çudi se si është e mundur që shtetin maqedonas ta përfaqësojë në skenën ndërkombëtare një shqiptar, i cili natyrisht se vepron sikur edhe paraardhësit e tij maqedonas. Pra shqiptarët dhe maqedonasit në Republikën e Maqedonisë së Veriut jetojnë me stereotipin e nënçmimit të njëri tjetrit.
Do të thoni se ky qëndrim i im në këtë shkrim po duket kontradiktor. Si është e mundur që të nënçmojnë njëri tjetrin kur shqiptarët , elita politike dhe intelektuale i janë përulur elitës politike dhe intelektuale maqedonase. Në fakt subjektet politike shqiptare propagandojnë njëfarë politike në thonjëza “të bllokut politik” shqiptar , por vetëm me fjalë, ndërsa në praktikë të gjitha partitë politike e përdorin me sukses rrolin e servilit se kështu mund të fitojnë një grup personash partiak, të cilët tanimë është vështirë të ndërrohen sepse kanë lëshuar rrënjë të thella në sistemin e korruptuar.
Natyrisht se pushteti ngre dorë edhe ndaj të instaluarve nga radhët e shqiptarëve në të, pasi dosjet për korrupsion i ka të hapura për të gjithë funksionarët shqiptar dhe me veprime dhe marrjen e aksioneve kundër disave u tregon edhe të tjerëve se mund tu vijë radha edhe juve.
Autori është veteran i gazetarisë shqiptare në MV