Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e ka quajtur sulm ndaj fjalës së lirë, vendimin e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve për ta pezulluar licencën e biznesit të Klan Kosovës.
Ajo e ka theksuar se një veprim i tillë është qëndrim i qeverisë së tanishme që drejtohet nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Luftën ndaj medias nuk e kisha kufizuar në këtë rast si vendim të ministres Hajdari. Ky është qëndrim dhe qasje e LVV-së ndaj zërave kritikë. Këtë luftë nuk e shpërfaqin vetëm ndaj Klan Kosovës. Ata as nuk pranojnë të përballen me media dhe analistë që do t’i kritikonin. Është qasje e kësaj qeverie ndaj fjalës së lirë, shoqërisë civile dhe gjithkujt që nuk pajtohet me të”, është shprehur Bajrami në emisionin Portofol në Klan Kosova FM.
“Këta kanë qenë të vrazhdë dhe ka tendencë të krijimit të një autokracie si dhe shkatërrimit komplet të demokracisë që me shumë mund është krijuar gjatë dekadave”.
Bajrami që ka qenë Ministre e Tregtisë në Qeverinë Mustafa shprehet se pret reflektim nga qeveria sa i përket rastit të Klan Kosovës.