​Edhe Ligji për Institutin për krime lufte mund të përfundojë në Kushtetuese

by informim

Brenda gjashtë muajve do të procedohen aktet nënligjore për themelimin e Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, ka thënë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila edhe vetë ka mëdyshje se kjo nismë ligjore do të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese për interpretim. Sipas saj, shumë shpejt do të bëhet edhe përzgjedhja e drejtorit dhe stafit mbështetës.

Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës po sheh mundësitë që ky ligj të dërgohet në Kushtetuese, meqë konsiderojnë se është në dëm të interesit shtetëror të Kosovës periudha kohore me të cilën do të merret instituti. Edhe Fondi për të Drejtën Humanitare shpreh kritikat, meqë konsiderojnë se instituti do të mbetet një instrument në duart e qeverisë.

Ditë më parë, Kuvendi i Kosovës miratoi në lexim të dytë Ligjin për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës së Kosovës.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu deklaroi se me themelimin e këtij institucioni do të adresohen dhe dokumentohen krimet e luftës, gjenocidit dhe krimeve kundër njerëzimit.

“Sipas ligjit që është miratuar së fundmi nga Kuvendi, natyrisht nëse nuk dërgohet nga opozita në Gjykatën Kushtetuese, sepse kemi pasur kundërshtime nga PDK sa i përket të njëjtit, nëse nuk dërgohet, brenda periudhës brenda gjashtë muajsh ne do t’i procedojmë aktet nënligjore për themelimin e këtij institucioni. Dhe në këtë drejtim, brenda një kohe shumë të shkurtër do të bëhet përzgjedhja e drejtorit por edhe stafit mbështetës. Keni parasysh që është shumë e rëndësishme që personat që do të angazhohen në këtë institut, do të jenë persona të profilizuar, të marrin trajnimet e nevojshme sepse 24 vite pas luftës nuk është gjithmonë e lehtë që të adresohet secili krim që ka ndodhur në periudhën e luftës. Megjithatë, unë vlerësoj që pavarësisht që jemi vonë nuk është e pamundshme që të adresojmë dokumentimin e krimeve të luftës”, deklaroi Haxhiu.

Partia Demokratike e Kosovës ka mendime të tjera në lidhje me këtë institut. Deputetja Blerta Deliu-Kodra konsideroi se kjo nismë ligjore është në dëm të interesit shtetëror dhe kombëtar të Kosovës

“Janë një mori ligjesh të cilat kanë ardhur së fundmi, fatkeqësisht kjo qeveri është një prej qeverive që më së shumti në historinë e parlamentarizmit, ose historinë e qeverive të Kosovës që kanë rënë ndesh me kushtetutën. Një varg prej tyre fatmirësisht Gjykata Kushtetuese i ka kthyer në pikën zero, një pjesë e tyre janë në pritje për të marrë përgjigje nga Gjykata Kushtetuese. Ndërkohë që për Projektligjin për Institutin për Hetimin e Krimeve të Luftës, ne jemi duke e analizuar në tërësi se si t’i qasemi dhe cila pjesë do të jetë objekt trajtimi në mënyrë që ta dimë saktësisht se në çfarë forme do ta adresojmë dhe do ta parandalojmë një ligj, i cili në fakt është në dëm të interesit shtetëror dhe kombëtar të Republikës së Kosovës”, shtoi ajo.

Kjo parti opozitare po ashtu konsideron se miratimi i këtij ligji në lexim të dytë, është fatkeqësi për parlamentin.

“Shqetësimi më i madh dhe kryesor ka qenë fushëveprimi, faza e trajtimit të krimeve të luftës në Kosovë. Iniciuesi në këtë rast ka propozuar që faza e fundit të jetë 31 dhjetor të vitit 2000, ndërkohë që ne e dimë që lufta në Kosovë ka përfunduar në qershor të vitit 1999. Prandaj, kjo ka qenë absolutisht e papranueshme, marrë në konsideratë pretendimet e Serbisë tash e sa vjet që ta drejtojë gishtin nga Kosova për krime të supozuara nga Serbia për fabrikimin e krimeve, propagandën, konspiracionet që Serbia tash e sa vjet i bën në drejtim të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të drejtimit të gishtit, që pretendon se ato krime janë kryer nga shqiptarët”, deklaroi Deliu-Kodra.

Përkundër mendimit se themelimi i këtij instituti është hap i mirë, drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare të Kosovës, Bekim Blakaj, deklaroi se nuk janë marrë parasysh shumë nga rekomandimet e tyre.

“Një nga kërkesat tona kryesore ka qenë që megjithatë ky institut mos të jetë nën ombrellën e institucioneve politike, por për fat të keq, ashtu mbeti. Përfundimisht do të jetë një agjenci në kuadër të Zyrës së Kryeministrit dhe kryeministri ka kompetenca të plota mbi këtë ligj dhe ato shihen më së miri në pjesën e cila merret me drejtorin ekzekutiv të agjencisë apo të Institutit për Hetimin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës, e emëron kryeministri drejtpërdrejt, e shkarkon apo ia zgjat mandatin bile edhe lartësinë e pagës ia përcakton kryeministri. Kjo do të thotë që instituti do të mbetet një instrument në duart e qeverisë, respektivisht të kryeministrit”, shprehet ai.

Edhe profesori i së Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu, konsideroi se ky institut duhet të jetë i pavarur.

“Ky institut duhet të jetë i pavarur, autonom. Ky institut duhet të ketë statusin, tretmanin sikurse Instituti i Historisë, apo Albanologjik duhet të jetë larg politikës. Ky është instituti hulumtues, shkencor. Për këtë arsye mendoj që nuk duhet të jetë në Zyrën e Kryeministrit për shkak se mund të ketë implikime, ndikime politike për shkak se pas 1 viti, 2 vitesh ndërrohet kryeministri dhe bën ndonjë politikë tjetër aty, kështu që ky duhet të jetë autonom”, thotë Salihu.

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy