Joseph: Kurti i pamatur në veri, njohja e Kosovës nga Ukraina mund t’i ndryshonte gjërat

by informim

Edward P. Joseph, profesor në Universitetin Johns Hopkins në Washington, thotë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ishte “i pamatur në lëvizjet e tij operative në veri”, por sipas tij situata nuk do të ndryshonte shumë as me një “udhëheqës shumë bashkëbunues dhe të butë”.

“Është e qartë se Kurti ishte i pamatur në lëvizjet e tij operative në veri, sfidues kur ishte fjala për bashkësinë ndërkombëtare dhe provokues kur bëhej fjalë për bashkëqytetarët e tij, serbët e Kosovës. Jo vetëm arrestimet, por edhe trajtimi i serbëve të arrestuar, meritojnë hetim”, tha Joseph në një intervistë për mediumin serb, Demostat.

banner

“Tani le të imagjinojmë se ka pasur një udhëheqës më bashkëpunues në Prishtinë. Në fakt, nuk kemi pse të imagjinojmë; kishte një drejtues më bashkëpunues. Ai quhej Avdullah Hoti. Në shtator 2020, ai madje nënshkroi Marrëveshjen e Washingtonit në Shtëpinë e Bardhë të Trump, së bashku me presidentin Vuçiq. Në një moment ai pranoi që në rend dite ta vendosë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Pra, çfarë ndodhi me këtë udhëheqës shumë bashkëpunues dhe të butë në Kosovë? A kemi parë progres të shpejtë ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës? Një ulje e tensioneve pasi secila palë duke u fokusuar në projekte ekonomike?”, pyet Joseph.

Më tej, ai kujton se shumë shpejt pas nënshkrimit të asaj marrëveshjeje kishim parë “disa nga sulmet më të ashpra ndaj Kosovës të udhëhequra nga dy figura të shquara rreth Vuçiqit – Aleksandar Vulin dhe Ivica Daçiq”.

Zgjidhjen e problemeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Joseph e sheh në njohjen e mundshme të pavarësisë së Kosovës nga pesë vendet e BE-së që ende s’e kanë bërë këtë, apo sidomos nga katër prej tyre që janë edhe anëtare të NATO-s: Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja.

“Ato ofrojnë avantazh për Serbinë ndaj Kosovës. Duke e bërë këtë, ato e bëjnë jashtëzakonisht të vështirë për Kosovën dhe Serbinë zbatimin e vërtetë të ‘propozimit franko-gjerman’ ose të bëjnë atë që është realisht e nevojshme, për të arritur një zgjidhje përfundimtare”, thotë profesori amerikan.

Dinamika aktuale në veri është “një reflektim i këtij problemi”, thotë Joseph dhe shton se “sa më gjatë të vazhdojnë tensionet, aq më e vështirë do të jetë të ecësh përpara”.

“Plani franko-gjerman është rënë dakord me të gjitha vendet anëtare të BE-së. Nëse plani zbatohet, a do të ndryshojnë mendim pesë vendet e BE-së për Kosovën?”, pyet Joseph. “Nuk ka asnjë garanci”, shton ai, “pëveç në rastin e Greqisë”.

Ai kujton se si Rumania, Sllovakia dhe Spanja e kishin injoruar plotësisht vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në vitin 2010 për pavarësinë e Kosovës.

“Beogradi ruan një dallim midis koncepteve të pavarësisë dhe sovranitetit. Kështu, i gjithë rajoni mbahet në harresë për një ndryshim të vogël, legalist. Njohja e Kosovës nga Ukraina mund t’i ndryshojë të gjitha këto. Ato që nuk e kanë pranuar do të duhej të përballeshin me faktet – pse Kosova është një rast i veçantë, një rast unik”, thotë Joseph.

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy