Kryeministri Albin Kurti dje shkoi në Pejë së bashku me disa ministra e deputetë.
Zyra e Kryeministrit njoftoi mbrëmë se Kurti e nisi vizitën në Qendrën Nacionale të Xhudos, ku u prit nga kryetari i Federatës së Xhudos të Kosovës, Agron Kuka dhe ekipi kampion i xhudistëve.
“Në këtë takim, ata i prezantuan kryeministrit projektin e zgjerimit të Qendrës Nacionale të Xhudos si pjesë e programit “Kosova, shtet i Xhudos”. Qeveria po investon në fuqizimin e xhudos përbrenda vendit dhe në promovimin ndërkombëtar përmes mirëmbajtjes dhe rritjes së mëtejme të rezultateve të xhudistëve tanë”, thotë ZKM.
Siç njoftoi ZKM-ja, ndalesën e radhës, Kurti e pati te Kulla e Ministerit, “e cila ka një arkitekturë e stil të veçantë, dhe e cila po restaurohet në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë, për të vazhduar në Çarshinë e Gjatë, e cila përkundër shkatërrimit masovik nga forcat serbe është rindërtuar”.
“E më pas, vizita vazhdoi në dyqanin qindravjeçar të briskpunuesit Musa Gorani, i cili është restauruar dhe funksionalizuar falë mbështetjes direkte të Qeverisë”.
“Përmbylljen e vizitës së tij në qytetin e Pejës, Kryeministri Kurti e bëri me vizitën në Kinemanë “Jusuf Gërvalla”, ku u takua me drejtuesit e Anibarit dhe Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të animuar, i cili sipas kryeministrit zë një vend të rëndësishëm në skenën tonë të artit duke promovuar diversitetin dhe kulturën tonë përmes filmave të animuar e shumë programeve të tjera. Edicioni i 14-të i festivalit Anibar po zhvillohet nga data 17 korrik deri me 23 korrik”.
Gjatë kësaj vizite, Kurti ishte i shoqëruar nga ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Taulant Kelmendi dhe deputetët Gramos Agusholli, Fatmire Kollçaku dhe Ardian Gola.
“Në këto dy vite janë zhvilluar projekte të shumta të restaurimit në rajonin e Pejës dhe po punojmë që ky potencial të shndërrohet në mirëqenie për qytetarët”, u tha në njoftimin e ZKM-së/