Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në një takim me gazetarë në Prishtinë ka thënë se Kosova nuk duhet të shpallë zgjedhje në veri të vendit, pa u hequr masat ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian, raportoi REL-i të hënën.
Bislimi tha që është në pritje të njoftimit të BE-së për heqjen e sanksioneve, pas pajtueshmërisë së arritur mes Kosovës dhe BE-së në Bratisllavë, dhe tërheqjes së 25% të forcave policore nga ndërtesat komunale në 4 komunat veriore.
Edhe pse më herët, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë se organizimin e zgjedhjeve e lejon rregullimi ligjor i Kosovës dhe se diçka e tillë mund të bëhet përmes një peticioni të nënshkruar nga 20 për qind e qytetarëve që janë në listën votuese, të cilët mund të iniciojnë procesin e zgjedhjeve të reja, Bislimi tha se nuk është i sigurt që ekziston një bazë e përshtatshme ligjore për shpalljen e tyre.
“Është problem i brendshëm i Kosovës për cilin nuk ka dakordim se a mjafton udhëzim administrativ, apo duhet ligj”, tha ai.
Dorëheqja eventuale e kryetarëve do të çonte komunat në zgjedhje të parakohshme, mirëpo sipas Bislimit, Qeveria, e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje nuk do të kërkojë një gjë të tillë nga kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut dhe Leposaviqit, që janë nga kjo parti.
Kryetarët e dy komunave tjera, Zveçan e Zubin Potok, janë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.
Qeveria e Kosovës është pajtuar më 10 korrik që të bëjë një deklaratë publike, për të mbështetur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në 4 komunat veriore, pas verës. Sipas marrëveshjes, Kosova përkushtohet të sigurojë bazën e nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e zgjedhjeve.
Për shkak të mospërmbushjes së kërkesave të paraqitura nga blloku evropian, Brukseli në fund të qershorit nisi të zbatonte disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës.