Ka dështuar të mbahet seanca ku pritej të jepej fjala përfundimtare në rastin e 20 ish-pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të akuzuar për korrupsion, keqpërdorim të detyrës zyrtare e kontrabandë me mallra në veri të vendit.
Seanca dështoi të hënën, pasi mungoi i akuzuari Abdurrahim Haxhiq.
Mbrojtja tha se ai është duke u trajtuar në Spitalin e Kralevës në Serbi pas aksidentit që ka pësuar në trafik më 21 korrik. Ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës – shqiptarë, serbë e boshnjakë – akuzohen nga Prokuroria Speciale se kanë pranuar ryshfet për ta lejuar kontrabandimin e kafshëve, derivateve të naftës, pijeve alkoolike e joalkoolike, si dhe produkteve ushqimore nga Serbia në Kosovë e anasjelltas në periudhën 2017-2019.
Gjyqtari kryesor, Mentor Bajraktari, vendosi që seanca e radhës, kur do të jepet fjala përfundimtare, të mbahet më 6 shtator.