Programi “Praktikë në Qeveri”, Kurti: Qeveria e Kosovës asnjëherë nuk ka pasur kaq shumë praktikantë

by informim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, organizuan një pritje dhe zhvilluan një takim njoftues me të rinj dhe të reja, përfitues të Programit “Praktikë në Qeveri”, që u mbajt në Ballkonin e Hapur, të Qeverisë.

Me këtë rast, kryeministri Kurti tha se ky program ka bërë bashkë të rejat dhe të rinjtë që kanë dëshiruar të kontribuojnë në sektorin publik.

banner

Kryeministri tha se beson që edhe të mirat vijnë nga puna, por gjithashtu edhe zhvillimi personal e profesional vjen nga puna dhe se këtë punë dëshirojmë që ta lidhim me zhvillimin e shtetit tonë, por njëkohësisht edhe me profesionet tuaja.

Ai i falënderoi shumë të gjithë për angazhimin e tyre, dhe uroi që ky program të jetë një përvojë e çmueshme për ta, nga e cila edhe merrni shumëçka përveçse i jepni shoqërisë edhe shtetit, dhe që pse jo një ditë edhe institucioneve shtetërore me rangje gjithnjë e më të avancuara të pozitave dhe funksioneve që mund t’i bartin në të ardhmen.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Të dashur të reja dhe të rinj përfitues nga Programi “Praktikë në Qeveri”,
Të nderuar ministra, ministre, zëvendësministra, zëvendësministre, deputetë e deputete,

Jam i nderuar që të ju mirëpresim sot në ndërtesën e Qeverisë, këtu tek kjo platformë që e quajmë “Ballkoni i Hapur”. Pra një ballkon i cili nuk mbyllet, por gjithmonë i hapur për të rinjtë dhe të rejat dhe për juve si përfitues të programit “Praktikë në Qeveri”. Ky program i ka bërë bashkë të rejat dhe të rinjtë të cilët kanë dëshiruar që të kontribuojnë në sektorin publik, në shtetin demokratik të Kosovës dhe paraqet një rrugëtim edhe për qeverisjen tonë, por njëkohësisht edhe për juve në profesionin dhe karrierat e juaja, në kontributin dhe avancimin e juaj në kuadër të administratës publike të Republikës së Kosovës.

Ne besojmë që ndërtimin e një administrate publike efektive, llogaridhënëse dhe të orientuar drejt qytetarëve e kemi jo vetëm thjeshtë dëshirë, po e kemi edhe obligim. Andaj, edhe prania juaj këtu është pasqyrë e përkushtimit tonë për gjithëpërfshirje, si dhe e besimit se të rinjtë e luajnë një rol kyç për zhvillimin dhe demokratizimin e vendit tonë.

Jeni afër 250 të reja dhe të rinj të angazhuar në institucione të ndryshme, që nga Zyra e Kryeministrit, Ministria e Financave, Ministria e Drejtësisë e deri tek Galeria Kombëtare e Ministrisë së Kulturës, e Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë te Ministria e Bujqësisë.

Ju jeni dëshmia e dëshirës, vullnetit dhe e punës për një Kosovë më të mirë për të gjithë që nuk e lë askë mbrapa.

Falë Programit “Praktikë në Qeveri”, Qeveria e Kosovës asnjëherë nuk ka pasur kaq shumë praktikantë. Dikush edhe mundet me na quajt qeveri e praktikantëve, por bëhet fjalë për praktikantë të mirë në praktika të mira, për qeverisje demokratike edhe për një shtet gjithnjë e më të përparuar. Natyrisht, që mbi të gjitha e para së gjithash bëhet fjalë për një vullnet për praktika të reja edhe ndryshe të cilat e shpijnë vendin tonë atje ku ne duam, pra tek zhvillimi ekonomik, tek progresi demokratik, tek integrimet euroatlantike.

Qeverisja jonë i ka dy themele kryesore, drejtësinë dhe punësimin. Te punësimi, gratë, dhe ju si rini jeni fokusi ynë. Kemi ndërmarrë edhe zbatuar politika të shumta punësimi gjatë këtyre dy viteve, që nga programi “Praktikë në Qeveri”, tek subvencionimi i pagës për të punësuar gratë, subvencionimi i rritjes së pagës, subvencionimi i pagës për punëtorët të cilët nuk kanë asnjë familjar të punësuar, e deri te mbështetja më e re për të rinjtë në platformën Superpuna.

Superpuna është një qasje e re drejt punësimit të qëndrueshëm e cila po dëshmohet e suksesshme. Deri sot, nga Superpuna numërojmë afro 13 mijë të rinj punëkërkues, me mbi 7 mijë biznese aktive, si dhe mbi 5000 të rinj të punësuar përmes kësaj platforme. Pra, sektori publik në njërën anën, sektori privat në anën tjetër, janë bërë bashkë që të gjejnë punë për të rinjtë. Monitorimi i rregullt e i vazhdueshëm i skemës, na siguron jo vetëm transparencë, por gjithashtu edhe që të rinjve tanë sektori privat t’ju ofroj një punë të dinjitetshme.

Po besoj që shumë nga ju, siç shihet edhe nga mosha juaj e re, në përfundim të kësaj përvoje praktike, do të mund t’i bashkoheni edhe platformës Superpuna, duke vazhduar rritjen e zhvillimin tuaj profesional.

Unë ju falënderoj shumë për angazhimin tuaj, dhe uroj që ky program të jetë një përvojë e çmueshme për ju, nga e cila edhe ju merrni shumëçka përveçse i jepni shoqërisë edhe shtetit, dhe pse jo një ditë edhe institucioneve shtetërore me rangje gjithnjë e më të avancuara të pozitave dhe funksioneve të cilat do t’i keni në të ardhmen.

Faleminderit !

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy