Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar heroin Enver Zymberi në 12-vjetorin e rënies së tij, duke thënë se Policia e Kosovës janë mbrojtësit e palëkundur të kufijve të shtetit.
Osmani ka nderuar “guximin dhe sakrificën” e heroit Zymberi.
“Dymbëdhjetë vjet më parë polici Enver Zymberi ra në mbrojtje të integritetit territorial të Kosovës. Sot e nderojmë guximin dhe sakrificën e heroit. Ai ishte mishërim i përkushtimit, guximit dhe vetëmohimit. Atij, sikurse edhe të gjithë policëve të rënë në detyrë u përkulemi për kontributin e çmuar për sigurinë tonë në çdo cep të vendit”, ka shkruar Osmani.
Presidentja ka thënë se policët e Kosovës duhet të vlerësohen e mbështeten maksimalisht.
“Sikurse atëherë, ashtu edhe sot, Policia e Kosovës janë mbrojtësit e palëkundur të kufijve të shtetit tonë nga agresioni i vazhdueshëm i Serbisë, prandaj ata duhet jo vetëm të respektohen por edhe të vlerësohen e mbështeten maksimalisht për punën dhe sakrificën e tyre”, ka shkruar tutje ajo.
Zymberi u vra në operacionin e Policisë në veri të Kosovës më 26 korrik 2011. Ai u vra gjatë aksionit për t’i marrë nën kontroll pikat kufitare në veri.