Mentor Vrajolli, drejtor ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, ka kërkuar që bashkësia ndërkombëtare të jetë më e zëshme në dënimin e gjuhës kërcënuese ndaj policëve të rinj nga komuniteti serb, që nisi si fushatë në rrjete sociale kundër këtyre policëve që nisën shërbimin në veri në fillim të javës.
Vrajolli ka thënë në Interaktiv në KTV se duhet të vinë reagime direkte nga zyrtarët e lartë ndërkombëtarë të përfshirë në dialogun Kosovë-Serbi. Sipas tij, një reagim çfarë u bë për tensionet në veri, duhet të bëhet edhe tash për kërcënimet që kanë ardhur nga përdorues serbë.
“Duhet të identifikohet kush janë individët që kërcënojnë, prej nga vijnë, nëse vijnë nga jashtë Kosovës duhet të gjenden mekanizma për të censuruar mediumet që përhapin këto postime kërcënuese. Komuniteti ndërkombëtar në këtë rast duhet të jetë më i zëshëm, kryesisht reagimet kanë ardhur nga QUINT-it, por jo reagime të drejtpërdrejta siç ishin ato për zhvillimet e majit apo qershorit të pjesës veriore që ishin dënime të veprimeve të Qeverisë së Kosovës”, ka thënë ai.
Vrajolli ka shtuar se heshtja e zyrtarëve ndërkombëtarë ndaj këtyre kërcënimeve i trimëron akterët për veprime destabilizuese në Kosovë.
“Reagimet të majit e qershorit ishin drejtpërdrejt ndaj Qeverisë së Kosovës nga zyrtarë të BE-së, zyrtarë që janë të përfshirë në dialog, në këtë rast heshtja e tyre i trimëron akterët që janë mjaft aktivë në destabilizimin e Kosovës. Raporti Kosovë-Serbi duhet të shihen në disa prizma, komuniteti ndërkombëtar duhet ta rishikojë qasjen e tyre – Lajçak, Borrell, Escobar – zhvillimet e tilla duhet të dënohen ashpër që në një formë të dekurajojë këta akterë që mundohen ta fuqizojnë destabilizimin e Kosovës”, ka theksuar ai.