Departamenti amerikan i Shtetit ka publikuar raportin për “klimën e investimeve në Kosovë“, për vitin 2023.
Në këtë raport theksohen një mori problemesh e pengesash që frenojnë investitorët e huaj për të investuar në Kosovë.
Një nga këto arsyeje përmendet edhe korrupsioni si dhe sundimi i dobët i ligjit.
Por theksohet se ka edhe ndërhyrje politike në ekonomi që automatikisht e bën më të vështirë çështjen e investitorëve të huaj.
Po ashtu, përmendet problemi me energjinë elektrike, pra nuk ka besueshmëri për furnizim të vazhdueshëm – si dhe të drejtat pronësore e integrimi i kufizuar rajonal e global ekonomik.
Në këtë raport, si problem theksohet edhe çështja e mosmarrëveshjeve të vazhdueshme në mes Kosovës dhe Serbisë.
”Potenciali i Kosovës për të tërhequr IHD në rritje është i kufizuar nga çështje të shumta strukturore, duke përfshirë integrimin e kufizuar ekonomik rajonal dhe global; ndërhyrja politike në ekonomi dhe gjyqësor; furnizim jo i besueshëm me energji; një sektor i madh informal; vështirësi në vendosjen e të drejtave pronësore; korrupsioni; dhe sundimi i dobët i ligjit, duke përfshirë mungesën e zbatimit të kontratave. Aftësia e vendit për të mbështetur rritjen mbështetet ndjeshëm në mbështetjen financiare ndërkombëtare dhe remitancat. Mosmarrëveshja e vazhdueshme e Kosovës me Serbinë dhe mungesa e njohjes formale nga shumë vende dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, gjithashtu pengon investimet dhe krijon pengesa për të bërë biznes”, thuhet në raport.