Vendimi i qeverisë Kurti për pezullimin e çertifikates së biznesit të Klan Kosovës ka provokuar reagime të shumta të personaliteteve politike dhe të mediave në Kosovë. Në vazhdim janë paraqitur disa nga reagimet e publikuara në profilet e facebookut.
Memli Krasniqi: Vendimi i Qeverisë për ta mbyllur Klan Kosovën, duke i marrë çertifikatën e biznesit, është i papranueshëm, i rrezikshëm, i paligjshëm dhe kundër secilës vlerë demokratike, mbi të cilat është ngritur shteti ynë. Kjo Qeveri e ka humbur rrugën! Nga panika, çdo ditë e më shumë po zhytet në llumin e vendimeve ta padinjitetshme dhe me tendenca diktatoriale. Prandaj, sot, jemi të gjithë të bashkuar kundër këtij vendimi autoritar dhe në mbrojtje të lirisë së shprehjes dhe medias së lirë. Mos e mbyllni Klan Kosovën. Diktatura nuk kalon!
Lumir Abdixhiku: Mbyllja e Klan Kosovës është sulm i një pushteti autoritar ndaj fjalës së lirë. Është sulm i paranojës propagandistike ndaj vet demokracisë. Ky pushtet do krizë. Ky pushtet do frikë. Në këtë betejë, të paprecedentë, nuk është vetëm një televizion. Janë të gjitha mediat, gazetarët e promovuesit e fjalës së lirë. Jemi të gjithë, individualisht e kolektivisht. Prandaj dhe në këtë përballje do të jemi bashkë të gjithë. Fjala e lirë do të triumfojë. Urdhërat e PolitByrosë nuk e mundin dot demokracinë kosovare. Shoqëria kosovare ka triumfuar dhe në përballje më të rënda. Do ta kapërcejë dhe këtë.
Ftoj organet e drejtësisë, gjykatat e Republikës, të bëjnë detyrën e vet. Të mbrojnë vet demokracinë.
Urdhërdhënësit e PolitByrosë dhe ekzekutuesit e këtyre urdhrave brenda institucioneve të shtetit, do të mbahen përgjegjës para ligjit herët apo vonë. Pushtetet janë të përkohshme, shteti mbetet i përhershëm.
Ramush Haradinaj: Nuk mbulohet dielli me shoshë o Albin Kurti. Nuk mbyllen mediat në një vend evropian! Nuk jemi Kore e Veriut! Prandaj hiq dorë nga ky vendim i çmendur e lëre Klan Kosovën ta kryejë punën e vet! Dil kërkoju falje popullit e gazetarëve të Klan Kosovës e ruaje pak fytyrë!
Dardan Molliqaj: Një Qeveri që i lufton mediat është e drejtuar kundër njerëzve. Një Qeveri që i mbyllë mediat do errësirë dhe nënshtrim. Qeverisja bëhet regjim teksa ndjell heshtje dhe frikë. Ata që duan të na mbyllin na shohin si idiotë që mashtrohemi nga secila propagandë. Prandaj heshtje varri. Nuk ka shume kohë që vetë kjo Qeveri i ka pranuar dokumentet e Serbisë me qytete të Kosovës si pjesë të saj. Tash ky qenka shkak për ta mbyllur Klan Kosovën.
E vërteta është diku tjetër. Qeveria po e zëvendëson shkakun e gjendjes së jashtëzakonshme. Armiku i jashtëm po zëvendësohet me armikun e brendshëm. Tash që po tërhiqet nga veriu, një armik na duhet. Sepse ndryshe, kushedi, zbresin njerëzit nga eteri e mozomakeq këtu poshtë mbreti është cullak. Ky vend i ka të afërta dhe të lidhura lirinë dhe luftën. Liria nuk jepet, luftohet për të. Mësymja e Qeverisë është kërcënim me diktaturë.
Doarsa Kica-Xhelili: Mbyllja e Klan Kosova nënkupton vulosje të vrasjes së demokracisë. Asgjë më pak se kaq! Sot nuk po mbyllet një medium. Sot po shantazhohet e vritet liria e fjalës. Kushdo që e legjitimon dhe arsyeton NUK përkon me idenë sublime të një Kosove demokratike dhe NUK e lejojmë të na mbajë leksione për demokraci.
Berat Buzhala: Qeveria mori vendim perfundimtar qe te mbyllet Klan Kosova:
I ftoj te gjithe koleget gazetare ne krejt Kosoven qe te solidarizohemi me Klan Kosoven. Ky eshte testi i vertete dhe me serioz i demokracise dhe mediave te lira. Nuk guxojme me u nenshtru para mentalitetit te Dejona Mihalit. Greve e pergjithshme e mediave dhe gazetareve te pavrur.
Leonard Kerquki: Pra, Albin Kurti permes kukulles se tij, Rozeta Hajdarit, e çoi deri ne fund rastin me Klan Kosoven, duke vendosur per mbylljen e tij. Ky eshte rast i paprecedent per nje shtet demokratik. Ky eshte momenti kur secili gazetar dhe njeri qe ia do te miren ketij Shtetit, te çohet ne mbrojtje te Klan Kosoves. Kjo tashme eshte beteje per mbrojtjen e demokracise ne vendin tone.
Vehbi Kajtazi: Dite zie per demokracine. Diktatura sot mori formen me brutale kunder lirise dhe demokracise. Bojkot i punes se Qeverise!