Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka folur për “rrugën e re”, për të cilën thotë se është “si rizgjim kombëtar është domosdoshmëri”.
“Polarizimi i shoqërisë sonë nuk ka të ndalur. Pushteti po na ndanë, po na përçanë, po na lë në të njëjtin vend. Përplasjet na vijnë çdo ditë, krizat po aq shpesh, e ne jemi shndërruar spektatorë të fatit tonë teksa njerëz me plot urrejtje a pa vullnet për punë vendosin për ne.Rruga e re si rizgjim kombëtar është domosdoshmëri”, ka shkruar Abdixhiku mbi një video ku flet për takimet e fundit të tij.
“Gjatë javëve të fundit kam takuar gazetarë, ligjërues universitarë, bizneset më të mëdha në vend e organizata të shoqërisë civile. Do të vazhdojmë takimet me secilin grup shoqëror në vend. Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm. Kjo gjendje e sotme, nuk është fytyra jonë e vërtetë. Kjo gjendje e sotme nuk na përfaqëson”, shkruan Abdixhiku.
Kreu i LDK-së i ka ftuar të gjithë që ta mbështesin “rrugën e re” pavarësisht bindjeve dhe dallimeve.
“Rrugën që s’bën gabimet e së shkuarës e ndalon theqafjen e tashme. Rrugën që s’merret me të kaluarën, por thjeshtë na bën të ardhmen. Rruga e re ka filluar dhe nuk do të ndalet. Rruga e re ka nevojë për mbështetjen tënde”, shkroi Abdixhiku.