Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka thënë për Ekonomia Online se presin që Gjykata Kushtetuese ta kthejë në zero Ligjin për Pagën Minimale.
Këtë ai e mbështeti duke thënë se Qeveria e Kosovës, gjegjësisht Kuvendi, nuk i ka përfillur katër kriteret kryesore që kanë të bëjnë me përpilimin e këtij ligji.
“Në rend të parë kemi një humbje jashtëzakonisht shumë të madhe të kohës që vërtetë është tepër e rëndë e çka presim nga Gjykata Kushtetuese është se jemi të bindur qind për qind se Gjykata Kushtetuese Ligjin mbi Pagën Minimale do ta kthejë në fazën zero, pasiqë Qeveria e Kosovës, gjegjësisht ajo që ka propozuar Parlamenti i Kosovës, nuk i ka marrë pothuajse katër kriteret kryesore të cilat duhet të jenë pjesë përbërëse e pagës minimale”, tha Azemi.
Kryetari i kësaj sindikate gjithashtu shtoi se është anashkaluar Komisioni për Buxhet dhe Financa dhe e ripërmendi se ky Komision kishte propozuar që për këtë vit paga minimale të jetë 450 euro, raporton EO.
“Në rend të parë nuk i ka propozimet apo nuk e ka vendimin nga këshilli ekonomik-social i cili është i obliguar që të japë propozimin e vetë. Është anashkaluar në rend të dytë Komisioni për Buxhet dhe Financa. Ju e dini se ky Komision i ka propozuar Parlamentit të Kosovës që paga minimale të jetë për vitin 2023 450 euro dhe për vitin 2024 të jetë 500 euro”.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, me 21 korrik e ka dorëzuar në Gjykatën Kushtuese kërkesën lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale.
Kuvendi i Kosovës e miratuar Ligjin për pagën minimale, 60 deputetë votuan pro, një abstenim dhe asnjë votë kundër. Me anë të këtij ligji parashihet që paga minimale të bëhet 250 euro neto.