Radio Televizioni i Kosovës (RTK) sonte është gjendur nën sulmet e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), pasi gazetarja e këtij televizioni ka vendosur të bëhet pjesë e kolegëve duke e bojkotuar konferencën e ministres Rozeta Hajdarit.
Në orët e mbrëmjes, dy deputetët e LVVV’së, Valon Ramadani dhe Enver Dugolli janë kujdesur “ta mbysin” lirinë e shprehjes, duke kritikuar aktin demokratik të gazetares së RTK’së.
Ata, përmes postimeve në Facebook kanë bërë presion duke pretenduar se detyra parësore e RTK’së është informimi i publikut.
“Paragrafi 3 i nenit 3 i Ligjit për RTK-në përcakton se misioni i parë përveç tjerash i transmetuesit publik që financohet nga taksapaguesit është informimi. Si duket, ky institucion i qenka shmangur sot këtij obligimi ligjor, duke mos qëndruar në konferencën e Ministres Rozeta Hajdari”, ka shkruar Ramadani, ka transmetuar Gazeta Metro
“…Mirëpo RTK-ja është në media publike, në pronësi të publikut dhe në shërbim të tij, dhe në asnjë mënyrë nuk mund të devijojë nga detyrimet e saj ligjore”, ka shkruar deputeti.
Dugolli është shprehur në një linjë me Ramadanin, duke thënë se “Radio Televizioni i Kosovës është transmetuesi i vetëm publik në Republikën e Kosovës, prandaj informimi i publikut është detyra kryesore e këtij mediumi publik”.