Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka kërkuar nga kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, që të mos japë dorëheqje, pas nisjes së procedurave për nxjerrjen e Udhëzimit Administrativ që i hapë rrugë zgjedhjeve të reja në veri.
Reagimi i Haxhiut vjen pasi Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka marrë vendim për caktimin e grupit punues për hartimin e Udhëzimit Administrativ për caktimin e procedurave për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve.
Haxhiu përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Albin Kurti po mundohet me të largu nga Komuna me një Udhëzim Administrativ”.
“Serbët me protesta e dhunë nuk arritën me të largu nga Komuna, ndërsa Albini e Elberti po të largojnë me Udhëzim Administrativ (UA)”, ka shkruar Haxhiu,
“Radha është ti me kërku llogari për sakrificën që ke bërë tash e sa muaj.Mos prano që serbët me u tall me ty për pazaret e Albinit e Besnik Bislimit. Ju kam treguar që në fillim se Albin Kurti ka me u tërheq nga veriu, sepse kudo që deri sot ka hy është tërhequr. Albin Kurti fjalë i ka babush, a punët si hiq kërkush”, ka shkruar Haxhiu.
Ndryshe, kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, ka thënë se është i gatshëm të japë dorëheqje nëse ka premisa se këto zgjedhje do të dalin të suksesshme.
“Unë jam i gatshëm të japë dorëheqje, nëse është prioritet interesi shtetëror, do të jem përkrah interesave të qytetarëve. Ky vendim megjithatë është i organeve të qeverisë dhe çfarëdo forme do i përshtatem”, ka thënë Zeqiri, për RTV Dukagjini.
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka njoftuar sot se ka marrë vendim për caktimin e grupit punues për hartimin e Udhëzimit Administrativ për caktimin e procedurave për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve.