Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu tha se një ‘skandal’ i zbuluar nga ai befas në këtë dikaster ka nxjerrë në pah se skandale të ngjashme “mund të ndodhin gjithmonë”,
Pasi denoncoi lëshimin e një pëlqimi nga Ministria që një kompani të ndërtojë një incenerator termik për trajtimin e mbeturinave në fshatin Varosh të Ferizajt, Aliu tha se mund të supozohet se mund të jetë lëshuar edhe ndonjë pëlqim për ndonjë objekt të vogël, i cili, siç tha ai, “mund të kalojë disi”, por rasti i këtij inceneratori tha se është “vërtetë shqetësuese”.
“Nxjerr në pah diçka që… është supozuar që mund të ndodhin gjithmonë gjëra të tilla në ministri, por jo në përmasa të tilla. Ti mund të supozosh që mund të ketë ndonjë pëlqim për ndonjë objekt të vogël që mund të kalojë disi, por për të tilla të ndodh, kjo vërtetë shqetësuese dhe prandaj e kemi të domosdoshme t’i marrim masat e duhura”, tha Aliu.
Dy komisione vlerësuese për menaxhimin e mbeturinave dhe dhënies së lejeve mjedisore janë shkarkuar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Përpos shkarkimit, Aliu tha se “tjerat tash janë të organeve të drejtësisë”.
Për projektin e inceneratorit, ministri tha se “është projekt i interesave të mëdha”.
“Kush i qëndron mbrapa as që e dimë, as që e dimë”, tha ai.
Ai pranoi se përgjegjësia bie mbi Ministrinë.
“A bie përgjegjësia mbi Ministrinë? Natyrisht, përgjegjësia është edhe mbi Ministrinë, edhe mbi Komunën”, tha Aliu.
Ministri tha se ka gjithmonë “përpjekje nga kompanitë për me gjetë hapësirën për me nxjerrë pëlqime e leje të ndryshme”.